Rritet rimbursimi i karburantit për invalidët, shkon në 15 mijë lekë në muaj

Shëndet | 2 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar një ndryshim në vendimin për zbatimin e ligjit “Për statusin e invalidit”, duke rritur masën mujore të rimbursimit për shpenzimet e karburantit dhe lubrifikanteve për këtë kategori.

Vendimi, i propozuar nga Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, prek drejtpërdrejt mbështetjen financiare që sigurohet nga shteti për lëvizshmërinë e personave me status invaliditeti.

Me zbatimin e këtij akti të ri, pika 3 e vendimit të vitit 1998 ndryshohet duke përcaktuar një shifër të re fikse mujore.

Lidhur me masën e re të kompensimit, në vendim përcaktohet se “shuma mujore e rimbursimit të shpenzimeve për blerjen e karburanteve e të lubrifikanteve është 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë.”

Buxheti dhe institucionet përgjegjëse

Zbatimi i këtij ndryshimi do të shoqërohet me një faturë shtesë financiare për buxhetin e shtetit, e cila do të kanalizohet përmes skemës së sigurimeve shoqërore.

Lidhur me mbulimin e kostove, dokumenti zyrtar saktëson se “efektet financiare, në masën 27 000 000 (njëzet e shtatë milionë) lekë në vit, për zbatimin e këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit dhe programohen çdo vit në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.”

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar drejtpërdrejt Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme