Rrugët e Vlorës nën ujë, përmbytje në disa zona të qytetit

Aktualitet | 41 minuta më parë

Vetëm 20 minuta reshje shiu kanë mjaftuar që disa rrugë të Vlorës të mbulohen nga uji, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve. Gazetarja Afrovita Hysaj bëri me dije se reshjet e para të vjeshtës kanë nxjerrë sërish në pah problematikat e sistemit të kullimit dhe largimit të ujërave në qytet.

Situata problematike është konstatuar në disa zona, mes tyre lagjja “Pavarësia”, zona pranë “Albano dhe Romina”, biblioteka “Shefqet Musaraj”, lagjja “Muradie”, zona historike, lagjja “28 Nëntori” dhe bulevardi “Ismail Qemali”. Në disa prej këtyre akseve, niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke krijuar vështirësi për drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët që lëvizin në këmbë. Sipas gazetares Hysaj, një nga faktorët që lidhet me situatën e krijuar është funksionimi jo i plotë i hidrovorit të qytetit. Për shkak të punimeve të restaurimit, impianti nuk po funksionon me të katër pompat, çka ngre shqetësime për kapacitetin e tij për të përballuar prurjet e ujit gjatë reshjeve.

Një tjetër problem mbetet pastrimi i kanalizimeve, pasi bllokimi i tyre mund të pengojë largimin e ujërave nga rrugët dhe të favorizojë krijimin e përmbytjeve lokale.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme