Nis zyrtarisht reformimi i RTSH, Këshilli Drejtues i hap rrugën zbatimit të reformës mbështetur nga EBU
Radio Televizioni Shqiptar nis zyrtarisht transformimin, bazuar në rekomandimet e rrjetit evropian të transmetuesve publikë, EBU. Këshilli Drejtues, në mbledhjen e fundit, vendosi unanimisht nisjen e zbatimit të procesit të reformimit të medias publike, duke miratuar ngritjen e grupit të punës që do të ndjekë ecurinë.
Për Drejtoreshën e Përgjithshme, Eni Vasili, ky proces i rëndësishëm po ndodh falë mbështetjes së ofruar nga ekspertë të EBU-së, me të cilët prej 10 muajsh po punohet ngushtë për rimëkëmbjen dhe transformimin e thellë të institucionit.
“Sot Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar miratoi reformimin e RTSH-së, strategjinë e reformimit të RTSH-së, realizuar nga drejtoria e përgjithshme e RTSH-së nën udhëheqjen e EBU-së. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për vetë institucionin e medias publike, i cili tregon vullnetin për të ndryshuar, për t’u riformuar dhe vullnetin për të qenë në treg i barabartë si të gjithë. Ky është kurorëzimi i një pune 10-mujore, i një stafi shumë të ngushtë, por të përkushtuar njerëzish që kanë arritur të bindin EBU-në që ne jemi seriozë në këtë proces, që të kemi tani më në fund, që mund ta quajmë momentin e parë të implementimit të reformës”, tha drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së Eni Vasili.
Kryetari i Këshillit Drejtues, Fatjon Hoxhalli, tha se nisja e reformës së transformimit të RTSH-së synon forcimin e medias publike. Ndaj, sipas tij, ndryshimet që do të pësojë RTSH gjatë këtij rrugëtimi do të ndërtojnë një media më bashkëkohore dhe më pranë publikut.
“ Jam shumë i lumtur për vendimmarrjen e sotme, sepse jo vetëm i hap rrugë një ndryshimi të shumëkërkuar të situatës në RTSH, por edhe sepse kjo vendimmarrje ka ardhur me një unanimitet të plotë nga të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues”, tha Hoxhalli.
Osman Mula dhe Robert Budina, anëtarë të Këshillit Drejtues, shprehën optimizëm për suksesin që do të prodhojë kjo reformë.
“Përgjithësisht ramë dakord në shumë pika, ngelin edhe shumë gjëra për t’u bërë, por ajo që ishte kryesore sot ishte aprovimi i rekomandimeve që bën EBU-ja në raport me RTSH”, tha Mula.
“Ka një vullnet të jashtëzakonshëm, puna për përgatitjen e reformës është bërë shumë e thelluar, sepse ka rreth një vit që jemi në kontakt me EBU-në. Ata sollën propozimet e tyre, ne i vlerësuam, i përshtatëm me kushtet që ka Shqipëria”, tha Budina.
Ky zhvillim i rëndësishëm shënon një fazë të re për RTSH-në, me fokus modernizimin, rritjen e standardeve dhe përmirësimin e shërbimit ndaj publikut.
Iniciativa e propozuar nga drejtoresha e RTSH-së, Eni Vasili, gjeti përkrahjen e menjëhershme nga drejtuesit e EBU-së, të cilët shprehën gatishmërinë për të mbështetur median publike gjatë këtij rrugëtimi të guximshëm.
Gjatë vizitës në mars të këtij viti në RTSH, drejtuesi i EBU-së, Noel Curran, garantoi se drejtoresha e RTSH-së ka mbështetjen maksimale të EBU-së për tejkalimin e krizës dhe modernizimin e medias publike.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




