Salla në Elbasan: Kredia e butë me garancinë sovrane, mbështetje për zgjerimin e sipërmarrjeve

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vizitoi në Bradashesh të Elbasanit një sipërmarrje, e cila prej më shumë se 30 vitesh merret me grumbullimin dhe tregtimin e bimëve medicinale shqiptare me destinacione eksporti si Gjermania, Polonia, Italia, Franca dhe Greqia.
Në fokus të bashkëbisedimit ishte mbështetja financiare për zgjerimin e aktivitetit, investimet në makineri dhe teknologji të reja, si dhe përfitimet e fermerëve nga skema e kompensimit 10% të faturave të shitjes.
“Garancia Sovrane është në mbështetjen tuaj. Pikërisht biznesin që ju keni e mbulon shumë mirë për makineritë dhe ju dyfishoni të gjithë sipërmarrjen tuaj. Është deri në një shumë prej 2 milionë eurosh, me një garanci të shtetit, me një përqindje 2 deri në 3%”, u shpreh Salla, duke prezantuar mundësitë e financimit përmes kredisë së butë me garancinë sovrane.
Ministri theksoi gjithashtu se institucionet janë në dispozicion të sipërmarrjeve për t’i orientuar dhe asistuar gjatë procesit të aplikimit.
“Nëse do t’ju duhet ndihmë, ne jemi të gatshëm t’ju asistojmë për të gjitha procedurat që nevojiten, në mënyrë që të mos keni problematika në dokumentacion apo në procedurat që do të ndiqen për të përfituar nga Garancia Sovrane”, tha Salla.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte kompensimi 10% i faturave të shitjes për fermerët që furnizojnë sipërmarrjen me bimë medicinale. Ministri Salla vlerësoi bashkëpunimin me fermerët dhe praktikën e lëshimit të autofaturave, e cila u mundëson atyre të përfitojnë nga mbështetja shtetërore.
“Përveç pagesës që kryeni ju, edhe shteti jep 10% për çdo faturë. Kjo ka rëndësi, sepse deri tani, sipas të dhënave të tatimeve, ka kaluar 14 milionë euro në gjashtëmujorin e parë”, u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




