Samiti i Berlinit/ Kryeministri Rama në Londër, takime me homologun britanik Keir Starmer dhe përfaqësues të qeverisë

Politikë | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë pune në Londër. Kreu i qeverisë shqiptare pritet që gjatë kësaj të marte (21 tetor) të zhvillojë takime të nivelit të lartë me homologun e tij britanik Keir Starmer dhe përfaqësues të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Ditën e nesërme (22 tetor), Kryeministri Rama do t’i bashkohet Samitit të Procesit të Berlinit bashkë me liderët e rajonit dhe ata të Bashkimit Evropian.

Gjatë qëndrimit në Britani, Rama do të jetë pjesë e forumeve ndërkombëtare që trajtojnë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin me Bashkimin Europian.

Mbretëria e Bashkuar do të presë më 22 tetor udhëheqësit e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqës të tjerë evropianë për samitin e Procesit të Berlinit, me qëllim stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon.

Punimet e samitit do të përqendrohen gjithashtu në mënyrën e bashkëpunimit për të luftuar përdorimin e rajonit si rrugë tranziti për migracionin e parregullt.

I njohur zyrtarisht si ‘Procesi i Berlinit’, samiti do të forcojë bashkëpunimin me partnerët evropianë për të ndihmuar në zbatimin e strategjisë së qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të forcuar kufijtë, për të shkatërruar bandat dhe për të kthyer në vendet e tyre ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Britani.

Samiti vjen në një kohë kur Mbretëria e Bashkuar zhvillon një regjim sanksionesh, i pari në botë, për të kapur kontrabandistët e njerëzve në rrjedhën e sipërme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme