Samiti i OSBE-së në Shkup, autoritetet shtojnë masat e sigurisë

Maqedonia e Veriut | 3 vite më parë

Maqedonia e Verit ka rritur masat e sigurisë pasi, Shkupi nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor do të jetë mikpritës i 76 delegacioneve nga 57 vende anëtare të OSBE-së me rreth 1000 pjesëmarrës. 

Ministria e Brendshme tha se vendi është  plotësisht i përgatitur për të siguruar këtë eveniment i cili ka një rëndësi të madhe duke marrë parasysh numrin e madh të personaliteteve që do të marrin pjesë. 

Zona ku do të mbahet takimi është e bllokuar, transporti publik është reduktuar, punonjësit e administratës publike janë pushim dhe shkollat do të jenë të mbyllura dy ditët e ardhshme. 

Konflikti Rusi-Ukrainë, dialogu Kosovë-Serbi, stabiliteti në rajon dhe çështje të tjera do të jenë temat kryesore për të cilat do të diskutohet në Samitin OSBE-së në Shkup. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani deklaroi se organizata po përballet me sfidat më të mëdha në historinë e saj për shkak të mungesës së konsensusit. 

Ky samit është i rëndësishëm edhe për shkak të pjesëmarrjes së paralajmëruar të shefit të diplomacisë amerikane Blinken dhe kryediplomatit rus Sergei Lavrov. Ky i fundit tha për mediat vendase se përfaqësues të vendeve perëndimore kanë kërkuar takime me të në Shkup, por nuk ka konfirmuar një takim me Blinken. 

Pas ftesës së Shkupit për Rusinë, Ukraina dhe tre vendet Baltike Letonia, Estonia e Lituania njoftuan bojkotin e samitit. Në lidhje me reagimet për praninë e Lavrov në Shkup, Moska akuzoi Perëndimin për kërcënohet vetë ekzistenca e OSBE-së. Ndërsa DASH njoftoi se Sekretari i Shtetit pritet të flasë në Shkup për rolin kryesor të organizatës në promovimin e sigurisë në rajon. 

Maqedonia e Veriut mori kryesimin e OSBE-së në fillim të këtij viti nën sloganin “Fjala është për njerëzit” për ta mbajtur atë deri më 31 dhjetor.
  
Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme