Samiti, Konjufca: Kosova dhe Shqipëria të bashkëpunojnë në nismat për diasporën
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar në Samitin e IV të Diasporës se bashkimi kombëtar është një proces i shumë dimensioneve, i cili duhet të nisë nga bashkëpunimi i ngushtë në kuadër të diasporës.
Konjufca vlerësoi organizimin e samitit dhe kontributin e deritanishëm, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit mes Kosovës dhe Shqipërisë në nismat për diasporën.
Ai u shpreh se diaspora shqiptare është një faktor kyç për forcimin e identitetit kombëtar dhe lidhjen e brezave të rinj me gjuhën dhe kulturën shqiptare.
“Bashkimi është i shumë dimensioneve, por ta fillojmë nga ky samit së pari. Është bërë një punë e mirë, por herë tjetër kur ta bashkëorganizojmë këtë samit dhe ne kemi qenë vazhdimisht aktiv në këto samite. Ky samit na bashkon të gjithëve. Duhet të identifikojmë se cilat janë projektet që forcojnë identitetin tonë dhe këto 5 shtete janë kryesore sipas meje”, tha ai.
Sipas tij, prioritet duhet t’u jepet vendeve ku mërgata shqiptare është më e përqendruar, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Italia, Gjermania dhe Zvicra.
“Në SHBA kemi një mërgatë, në Greqi dhe Itali, dhe Gjermani e Zvicër janë vendimtare për mërgatën tonë dhe këtu duhet të jenë të fokusuara edhe investimet e qeverisë për të bërë projekte të përbashkëta, projekte ku të rinjtë lidhen me gjuhën dhe identitetin shqiptar.
Arritja më e madhe do të ishte sikur së bashku Kosova dhe Shqipëria të mund të arrinin në këto shtete të dërgonin një numër të madh të mësimdhënësve që mbulohen financiarisht nga republikat tona dhe mirëmbajnë shkollën shqipe ku është e përqendruar më së shumti mërgata jonë”, tha Konjufca.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




