Apeli i GJKKO rikthen pjesërisht dosjen e inceneratorit të Tiranës. SPAK: Ka prova të reja ndaj Lefter Kokës

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin ka pranuar pjesërisht kërkesën e SPAK dhe ka rikthyer dosjen e inceneratorit të Tiranës për shqyrtim të pjesshëm. Seanca e ardhshme është caktuar për 11 mars, ku pritet të ripyeten disa dëshmitarë, përfshirë Sulejman Tola dhe Jetmir Llapaj.
Prokurori i SPAK, Dritan Premçi, kërkoi administrimin e disa provave të reja që nuk ishin marrë në konsideratë gjatë vendimit në shkallën e parë. Ai argumentoi se gjykata duhet të rishikojë provat e mëparshme dhe të marrë në konsideratë rrethanat e reja që kanë dalë pas vendimit të Gjykatës së Lartë Administrative (GJKKO).
“Në momentin kur është marrë vendimi nga GJKKO nuk kanë qenë këto rrethana të reja, që ne i konsiderojmë të rëndësishme dhe duhet t’i vlerësojë tashmë ky kolegj. Kërkojmë përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor për të marrë disa prova sa i përket edhe ankimit që është bërë nga palët,” tha Premçi.
Nga ana tjetër, mbrojtja e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, kundërshtoi kërkesën e SPAK, duke e konsideruar të pabazuar si në aspekt material, ashtu edhe procedural. Avokatët theksuan se Koka është shpallur fajtor më 16 prill 2025 dhe masa e arrestit ndaj tij është shuar pasi koha e paraburgimit përputhej me dënimin.
“Kërkesa e SPAK për riçeljen e shqyrtimit gjyqësor është e pabazuar materialisht dhe procedutalisht. Lefter Koka është dënuar, nuk është shpallur i pafajshëm. Baza ligjore që SPAK kërkon për marrjen e një prove të re nuk është e drejtë për të mbështetur ankimin. Koka është gjykuar dhe hetuar për inceneratorin e Tiranës me masë “arrest në burg”, dhe në 16 prill 2025 është deklaruar fajtor që përkon dënimi me kohën kur ai ka qenë në paraburgim dhe gjykata shoi masën e sigurisë ndaj tij sepse përkonte me kohën kur ai ka qëndruar në paraburgim. Kërkojmë rrëzimin e kërkesës së prokurorit”, tha avokati.
Seanca e radhës pritet më 11 mars, ku do të ripyeten dëshmitarët e rëndësishëm dhe do të shqyrtohen provat që SPAK kërkon të shtojë në proces.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



