Serbia priti trupin e Mlladiçit, BE paralajmëron Beogradin për pasoja në rrugëtimin evropian

Rajon | 2 muaj më parë

Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos thotë se mënyra se si Beogradi do ta trajtojë funeralin e kriminelit të luftës Ratko Mladiç, i njohur si Kasapi i Bosnjës, do të jetë një provë për rrugëtimin evropian të Serbisë që mund të ndikojë edhe në përpjekjen e atij vendi për anëtarësim.

Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin e BE-së theksoi se , “Ratko Mlladiç u dënua për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Kthimi i trupit të tij në Beograd i kujton Evropës faqet më të errëta në historinë e saj moderne. Glorifikimi i vdekje së tij është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat është ndërtuar rruga drejt BE-së, e cila kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të vërtetë dhe respekt për viktimat e krimeve të luftës. Vlerat që mbështesin të ardhmen tonë të përbashkët janë të panegociueshme. Kam vendosur të anuloj vizitën e planifikuar në Serbi.”

“Funerali shtetëror do të ishte i papranueshëm”- tha ministri irlandez për Çështjet Evropiane Thomas Byrne.

“Është një hap që e distancon Serbinë nga vlerat themelore të BE-së” – u shpreh kryediplomati belg Maxime Prevot.

Më herët kryeministri kroat Andrej Plenković paralajmëroi Serbinë se nderimi i  kriminelit të luftës do të ishte i barasvlefshëm me mbylljen e derës së Bashkimit Evropian.

Mlladiç ndërroi jetë më 27 gusht në moshën 84 vjeçare në një qendër paraburgimi të OKB-së në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit veçanërisht për masakrën e Srebrenicës.

Trupi i tij u kthye në Beograd me një avion qeveritar, ku u prit me nderime ushtarake me arkëmortin të mbështjellë me flamurin e Serbisë.

Ndërsa ministri serb i Drejtësisë Nenad Vujiç tha javën e kaluar se Mlladiç do të përcillet me nderime shtetërore, presidenti Aleksandar Vuçiç deklaroi se është familja e tij që vendos për organizimin e funeralit.

Sipas raportimeve të mediave serbe, një ceremoni pritet të mbahet të shtunën, ndërsa të hënën zhvillohet funerali në periferi të Beogradit.

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme