Sezoni i virozave, epidemiologu Simaku: Kurbë normale, piku pritet në fund të janarit. Vaksina, parandaluesi më i mirë

Shëndet | 11 muaj më parë

Vendi ka hyrë tashmë në sezonin e gripit, dhe rastet e para të paraqitura në qendrat shëndetësore po rriten gradualisht. Megjithatë, sipas mjekëve, kjo është një situatë e pritshme për periudhën që po kalojmë.

Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, mjeku epidemiolog Artan Simaku theksoi se kurba e infektimeve në vend është ende e ulët dhe se pritet që piku i saj të arrihet në fund të muajit janar dhe fillim të shkurtit.

“Jemi në stinën  e gripit. Piku i qarkullimit të gripit në vendin tonë është në fund të muajit janar dhe fillim të muajit shkurt dhe ne jemi ende në fillim këtë kësaj kurbe. Aktualisht është normale dhe e pritshme për stinën. Kurba vjen duke u rritur gradualisht për të arritur pikun në fund të janarit dhe fillim të shkurtit. Do kemi një rënie graduale në fund të muajit mars dhe fillim të prillit”, tha ai.

Ai nënvizoi se mënyra më e mirë për të parandaluar format e rënda të gripit mbetet vaksinimi, i cili ka nisur që në muajin tetor. Në total janë shpërndarë 280 mijë doza vaksine, që ofrohen falas për grupet në risk dhe për personelin shëndetësor.

“E vetmja gjë që mund të bëjmë është parandalimi dhe kjo është vaksinimi, është kryefjala. Në vendin tonë ka nisur që në tetor janë shpërndarë 280 mijë doza vaksinimi që kryhet falas për të gjithë grupet me rrisk të popullatës dhe për personelin mjekësor. Grupet me risk të popullatës janë fëmijët mbi 6 muajsh, gratë shtatzëna dhe persona e moshës mbi 65 vjeç dhe ata persona që kanë një sëmundje kronike të shoqërueshme pavarësisht moshës. Vaksinimi parandalon format e rënda të grupit, kompklikacionet dhe shtrimet në spital. Pavarësisht vaksinimit, mund ta kalosh gripin, por jo në formë të rëndë duke parandaluare edhe vdekjet te raste e personave me sëmundje bashkëshoqëruese”, tha mjeku.

Përveç gripit, në vend po qarkullojnë edhe viroza të tjera respiratore, të cilat kanë simptoma më të lehta, por mund të zgjasin më shumë në kohë.

“Gripi ka një temperaturë të lartë mbi 38 gardë, zgjat disa ditë, dhe shoqërohet me dhimbje trupi, rrjedhje hundësh, dhimbje e fortë muskulore. Përveç gripit  qarkullojnë edhe viroza të tjera respiratorë në nivel më të ulët, por që shkaktojnë simptoma më të buta por të vazhdueshme në kohë. Një persona pasi kalon gripin mund të preket edhe nga këto virozat e tjera edhe pse janë shumë më të lehta”, u shpreh epidemiologu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme