Sezoni veror në Fier, dyfishohet stafi mjekësor në Qendrën Shëndetësore të Darëzezës

Shëndet | 4 muaj më parë

Dy mjekë, dy infermierë dhe një autoambulancë janë në gatishmëri 24 orë në Qendrën Shëndetësore të Darëzezës gjatë gjithë sezonit veror. Këtë vit stafi është dyfishuar, në pritje të një numri më të lartë pushuesish. Ndërkohë, në plazhet e Semanit dhe Pishë-Poros shërbimi mbulohet nga stafet e qendrave shëndetësore të zonave bregdetare.

“Rastet më të shpeshta që ne kemi hasur nisur dhe nga sezoni i kaluar kanë qenë kriza hipertensive, gjendje lipotimie, dehidrim nga temperaturat e larta, pickime nga peshku harabel, por që kanë qenë të menaxhueshme dhe ka qenë një sezon, le të themi deri diku që ka shkuar shumë mirë. Shpresoj të kemi një sezon të mbarë edhe këtë vit”, deklaroi mjekja Era Licaj.

Referuar problematikave më të shpeshta të sezonit veror, mjekët u bëjnë thirrje pushuesve të tregojnë kujdes për të shmangur incidentet shëndetësore. Sipas tyre, edhe peshku harabel, i cili gjendet me shumicë në bregdetin e Fierit, nuk përbën rrezik serioz për shëndetin e njerëzve.

“Rekomandimet lidhen me moshat që janë pak më vulnerabël sikur përfshijnë fëmijët apo moshat e treta që i këshillojmë të shmangin atë orarin ku janë më të larta temperaturat. Për shembull orari 10:00 me 12:00 është më pak i përshtatshëm ose orari 15:00 me 16:00”, shtoi Licaj.

Në bregdetin e Fierit operojnë këtë sezon rreth 100 operatorë privatë, ndërsa për plazhet publike janë përcaktuar gjashtë hapësira në shërbim të pushuesve.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme