Shëndeti mendor në Devoll, problem ngelet kujdesi i munguar i familjarëve ndaj personave që vuajnë
Në bashkinë e Devollit gjatë muajve të fundit janë evidentuar raste të shtuara të problemeve të shëndetit mendor.
Shërbimet mjekësore vendore i kanë ndjekur me vëmendje këto raste, duke i menaxhuar mes vizitave dhe konsultave te mjeku specialist në Korçë.
“Nga ana jonë janë marrë të gjitha masat e nevojshme pas referimit të rasteve nga institucione apo grupe të tjera. Janë menaxhuar nëpërmjet vizitave dhe konsultave te mjeku specialist i Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor Korçë. Sipas referimeve dhe përcaktimeve të mjekut specialist janë marrë edhe masat e nevojshme për shtrim pranë spitalit ‘Sadik Dinçi’ në Elbasan. Në qoftë se mjeku specialist pas referimit të rastit dhe vizitave mjekësore rekomandon jo shtrim, por ndjekje, kemi marrë të gjitha masat nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm me mjekët specialistë sipas qendrave shëndetësore që mbulojnë,” tregon koordinatorja e Bashkisë Devoll, Ariana Hoxhallari.
Një pjesë e pacientëve kanë marrë trajtimin e nevojshëm me vizita të rregullta dhe ndjekje mjekësore, ndërsa në raste më të rënda është bërë e domosdoshme shtrimi i tyre në spitalin psikiatrik të Elbasanit.
“Zakonisht rastet të cilat hospitalizohen pranë spitalit psikiatrik të Elbasanit janë raste të cilat nuk menaxhohen nga familjarët, nuk i përdorin mjekimet rregullisht dhe nuk ndiqen rregullisht nga ana e familjarëve. Këta i kemi pasur pak problem, por gjithsesi nga ana jonë janë menaxhuar,” thotë znj. Hoxhallari.
Ky menaxhim tregon bashkëpunimin mes strukturave shëndetësore të Devollit dhe institucioneve rajonale e kombëtare me qëllim ofrimin e kujdesit të specializuar për qytetarët që përballen me vështirësi të shëndetit mendor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




