Shëndeti mendor në vendin e punës nuk kontrollohet, ISHP: Përgjegjës për raportimin janë burimet njerëzore dhe punëdhënësit
Ngjarjet e rënda apo ato të krimit në vendin e punës kanë tronditur jo rrallë opinionin publik. Vrasja e një kamarieri, goditja e një mjeku apo infermieri, dhuna e fatorinos në transport publik apo ato të punonjësve të pastrimit flasin jo vetëm për një shëndet mendor të rënduar, por edhe dhe të pakontrolluar nga punëdhënësit.
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) thotë se çrregullimet më të shpeshta të shëndetit mendor të punonjësve që raportohen lidhen me shterimin profesional.
“Kryesisht janë simptoma të tilla si lodhje, nervozizëm, mungesë vëmendje, përqendrimi në vendin e punës, zemërim ose acarim, sjellje që e bën të vështirë komunikimin me kolegët ose kemi edhe tërheqje emocionale. Mund të shkojnë edhe përtej kësaj me çrregullime të ankthit, depresionit që janë edhe më të shpeshta në popullatë si dhe çrregullime të personalitetit që kanë tendencën për të krijuar sjellje problematike”,thotë ekspertja në ISHP, Andia Meksi.
Vendet e punës nuk kanë kushte për adresimin e problemeve të shëndetit mendor mes punonjësve ndërkohë që për ata që janë të prekur izolimi nga të tjerët mbetet zgjidhja.
“Ajo që ndodh shpesh është që individët mund të kenë frikë për ta referuar nëse kanë një problem në vendin e punës sepse frika është se mund ta pushojnë nga puna”, shprehet ajo.
Por e kujt është përgjegjësia për të mbajtur në vëzhgim punonjësit që shfaqin probleme të shëndetit mendor?
“Është roli i drejtuesve dhe i menaxherëve , supervizorëve që të kenë informacion të bollshëm që një punëmarrës është në një situatë të shterimit profesional apo është duke përjetuar një problem të mirëqenies emocionale të shëndetit mendor. Ata duhet ta adresojnë në mënyrën e duhur që te mos kemi probleme me pasoja të rënda. Kjo është detyrë e burimeve njerëzore, drejtuesve dhe menaxherëve që të jenë të trajnuar për këtë qëllim”, nënvizon ajo.
Ekspertët inkurajojnë punëdhënësit për trajnime të mirëqenies mendore.
“Është e rëndësishme që punëdhënësit duhet të trajnojnë stafin e tyre përsa i përket shenjave të stresit kronik, për ato që lidhen me problemet emocionale mendore. Kjo ndihmon shumë në marrëdhëniet në punë”, thotë ndër të tjera Meksi.
ISHP ka thotë se për stresin kronik në vendin e punë ka patur disa kërkesa nga institucione e koorporata për workshope me punonjësit që kanë në varësi.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




