Sherri nisi për 10 mijë lekë të vjetra/ Zbardhet dëshmia e autorit të plagosjes së 45-vjeçarit në Shkodër: S’doja ta qëlloja se isha me agjërim, por më fyeu
Një sherr banal ka përfunduar me plagosjen e një 45-vjeçari në Shkodër. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, teksa 45-vjeçari Genc Hoxha u qëllua me armë nga shtetasi Izvin Gucija, pronari i një servisi automjetesh.
Në dëshmitë e zbardhura të dy personave të përfshirë, të cilët kishin njohje me njeri-tjetrin, mësohet se sherri ka nisur fillimisht për një pagesë prej 1 mijë lekësh të reja për kontrollin e mjetit.
Autori i dyshuar, Gucija, ka deklaruar se 45-vjeçari Hoxha ka shkuar në servisin e tij dy ditë më parë për të riparuar grupin e timonit të automjetit. Pas një bisede, nuk kanë rënë dakord dhe pronari i servisit i ka marrë 10 mijë lekë të vjetër për kontrollin që ka kryer në automjetin e 45-vjeçarit.
Sipas Gucisë, në dalje e sipër shtetasi Genc Hoxha ka krijuar një debat me të duke i thënë “përse më sheh”, si dhe duke e fyer. Pronari i servisit ka deklaruar se nuk i ka kthyer përgjigje fillimisht, duke ruajtur qetësinë për shkak se ishte duke agjëruar. Por mbrëmjen e djeshme, një ditë pas debatit, shtetasi Genc Hoxha dhe pronari i servisit Izvin Gucija janë takuar sërish vetëm pak metra larg servisit, në një rrugicë.
Po sipas autorit të dyshuar, personi tjetër e ka fyer sërish dhe ka tentuar ta godasë me sende të forta. Në ato momente, Gucija i ka thënë policisë se ka nxjerrë pistoletën duke e plagosur lehtë në këmbë, si vetëmbrojtje, pa pasur qëllim për ta vrarë.
Ndërsa personi i plagosur, Genc Hoxha, ka mohuar se është ai shkaktari i kësaj ngjarjeje, duke thënë se thjesht ishin duke u sqaruar dhe se pronari i servisit ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të tij. 45-vjeçari mohon edhe fyerjet ndaj pronarit të servisit, duke deklaruar se ka pasur një sjellje normale.
Policia e Shkodrës ka gjetur në vendngjarje një gëzhojë që dyshohet se i përket autorit, si dhe ka sekuestruar pistoletën me të cilën ndodhi plagosja, të cilën autori e dorëzoi në momentin kur u arrestua, pak minuta pas ngjarjes, në afërsi të banesës së tij. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



