Shfaqen virozat e stinës, rreth 50 vizita në ditë pranë Shërbimit të Pediatrisë në Korçë

Shëndet | 1 vit më parë

Pranë spitalit të Pediatrisë në Korçë, çdo ditë kryhen më shumë se 50 vizita me fëmijë me viroza, temperaturë të lartë, por edhe me probleme gastrointestinale.

“Kryesisht dominojnë sëmundjet gastrointestinale. Fëmijët paraqiten me simptoma me të vjella dhe me diarre. Kohët e fundit kemi edhe raste me temperaturë të lartë, një fluks që shkon në përputhje me stinën”, thotë Robert Rado, Shef i Shërbimit të Pediatrisë së Korçës.

Në javët në vijim pritet të ketë një fluks edhe më të lartë të fëmijëve me viroza për shkak edhe të nisjes së vitit shkollor dhe grumbullimeve, të cilat përhapin sëmundjen, ndaj edhe mjeku Rado ka disa këshilla për prindërit.

“Mund të kemi edhe shfaqjen e virozave të tjera, me karakteristika të veçanta sipas stinës. Shmangia e ambienteve me grumbullime masive, dhënia e lëngjeve në rast temperature dhe dhënia e antipiretikëve; sipas rastit vendoset nëse ky fëmijë do të ndiqet me terapi ditore, do të shtrohet apo do të ndiqet sipas gjendjes së tij”, apelon ai.

Aktualisht, pranë shërbimit të Pediatrisë në Korçë nuk ka një fluks të lartë pacientësh, ndërsa situata është duke u monitoruar.

Gazetare: K. Koçi  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme