Shkodër- Zbardhen dy raste të tentativës për vrasje dhe kanosjes me armë zjarri. 3 persona në kërkim

Aktualitet | 47 minuta më parë

Policia e Shkodrës ka zbardhur dy raste të tentativës për vrasje, kanosjes me armë zjarri dhe dhunës fizike, të ndodhura më 11 dhe 12 tetor 2026.

Rasti i parë ka ndodhur më 11 tetor, në një fushë sportive (kalçeto), ku një 25-vjeçar, me inicialet K. F., dyshohet se ka hyrë në ambientet e fushës dhe i ka drejtuar armën e zjarrit një 27-vjeçari, me inicialet J. U., me qëllim vrasjen e tij.

Për këtë ngjarje, 25-vjeçari, banues në Shkodër, është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ngjarja e dytë është regjistruar më 12 tetor, në një lokal në Shkodër. Sipas policisë, dy shtetas, F. Gj., 40 vjeç, dhe F. S., 37 vjeç, dyshohet se kanë kanosur me armë zjarri dhe kanë goditur me grushte një 38-vjeçar, me inicialet E. Ç.

Si pasojë e dhunës fizike, 38-vjeçari ka pësuar dëmtime në fytyrë.

Dy të dyshuarit janë shpallur në kërkim për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, të kryera në bashkëpunim.

Policia bën me dije se po vijon puna për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme