Shoqata e Bankave: Të mbrohet sistemi financiar si e mirë e përbashkët, shërbimet po operojnë me orare të kufizuara

Ekonomi | 56 minuta më parë

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka dalë me një deklaratë zyrtare për shtyp lidhur me ecurinë e veprimtarisë bankare gjatë protestave të ditëve të fundit, ku bëri me dije se disa degë dhe pajisje ATM kanë pësuar dëme materiale.

Sipas AAB-së, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe stafit, “një pjesë e mirë e bankave kanë operuar përkohësisht me numër të reduktuar degësh dhe/ose me orar të kufizuar”, duke kërkuar mirëkuptimin e klientëve për vonesat e shkaktuara.

Institucioni udhëzon qytetarët të konsultojnë njoftimet zyrtare përpara se të paraqiten fizikisht, si dhe përsërit orientimin se “klientët inkurajohen që, kur është e mundur, të përdorin kanalet bankare digjitale për kryerjen e pagesave, transfertave dhe transaksioneve të tjera”.

Duke qetësuar opinionin publik mbi stabilitetin e sistemit, Shoqata e Bankave sqaron se dëmet e regjistruara janë vetëm fizike dhe se “veprimet ndaj ambienteve fizike apo pajisjeve nuk cenojnë, në vetvete, depozitat e klientëve dhe funksionimin e sektorit bankar”.

Pasi vuri nëduar se sistemi bankar përbën një infrastrukturë kritike për kreditimin, pagesat dhe buxhetin e shtetit, AAB u bëri thirrje qytetarëve dhe aktorëve shoqërorë për mbrojtjen e këtij sektori, duke apeluar se “të gjithë bashkë të ruajmë sistemin bankar dhe atë financiar si e mirë e përbashkët, të mos sulmohen degët e bankave dhe objektet e tjera financiare”.

Shoqata konfirmoi se bankat mbeten të angazhuara për rikthimin e plotë të shërbimeve sapo ta lejonin kushtet e sigurisë.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme