“Shpirti i Ballkanit” në Korçë, Festivali Ndërkombëtar do të sjellë artistë dhe ansamble nga vende të rajonit
Korça do të jetë për dy net me radhë qendra e kulturës dhe traditave ballkanike, me organizimin e Festivalit Ndërkombëtar “Shpirti i Ballkanit”, që do të zhvillohet më 19 dhe 20 qershor.
Aktiviteti do të sjellë në qytet ansamble folklorike, grupe artistike dhe banda folk-jazz nga vende të ndryshme të rajonit, duke e kthyer Korçën në një skenë të madhe arti dhe feste. Ky edicion vjen me risi të shumta, duke zgjeruar pjesëmarrjen ndërkombëtare dhe programin artistik.
“Këtë vit sigurisht do të kemi trupa dhe banda muzikore nga i gjithë Ballkani. Për dy netë do të kemi paradën e ngjyrave të Ballkanit për të vazhduar në sheshin e pazarit me dy grupe shumë të mira muzikore dhe është e ftuar dhe artistja Kamela Islamaj. Gjithashtu do të kemi grupe nga Serbia, Bullgaria, Greqia, Maqedonia, Shqipëria. Ajo që është e veçanta e këtij viti është që do të luaj Orkestra Simfonike e Korçës”, u shpreh Blerta Belliu, Drejtore e Qendrës së Kulturës dhe Inovacionit.
Festivali “Shpirti i Ballkanit” pritet të mbledhë qindra artistë dhe vizitorë, duke e shndërruar Korçën në një pikëtakim të rëndësishëm të kulturës ballkanike dhe një nga ngjarjet më të spikatura të sezonit veror.
Gazetare E. Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




