“Shqipëria Bëhet” tubim para Kryeministrisë, protestuesit përplasen me policinë
Tubimi i organizuar nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet” para Kryeministrisë është përfshirë nga tensione, ku protestuesit janë përplasur me efektivët e Policisë së Shtetit. Situata është përshkallëzuar kur disa protestues tentuan të thyejnë kordonin policor, ndërsa policia ka ndërhyrë duke përpjekur t’i largojë ata.
Gjatë protestës, Adriatik Lapaj akuzoi qeverinë për korrupsion dhe vjedhje të taksave të qytetarëve. Ai tha se qeveria e Edi Ramës ka infektuar shtetin me korrupsion dhe ka shpërdoruar paratë publike.
“Erdhi për të zhbërë modelin e oligarkisë së Berishës, por nuk është zhbërë. Ju këtu jeni njerëz të lirë, shqiptarët janë njerëz që meritojnë të jetojnë me dinjitet. Kemi 27 net që flemë në këtë shesh. Regjimi hajdut i Ramës nuk ka dërguar asnjë ambulancë. Për ata ne jemi njerëz që nuk duhet të ekzistojmë”, u shpreh ai.
Për më tepër, Lapaj pretendoi se punonjës të Policisë së Shtetit të veshur civil ishin në mesin e turmës dhe po filmonin protestuesit, me qëllim që t’i shoqëronin pas përfundimit të tubimit.
Prej javësh, Adriatik Lapaj ka qëndruar 24 orë para Kryeministrisë në një veprim simbolik, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




