Shqipëria dhe Izraeli forcojnë bashkëpunimin, Ferit Hoxha dhe Gideon Sa’ar nënshkruajnë marrëveshje

Politikë | 46 minuta më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti paraditen e sotme në një vizitë zyrtare në Tiranë homologun e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Sa’ar. Në fokus të takimit ishte forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Izraelit, si dhe shkëmbimi i pikëpamjeve mbi sfidat e sigurisë rajonale dhe globale, përfshirë kontributin e Shqipërisë në kuadër të Bordit të Paqes.

Ministri Hoxha theksoi se marrëdhëniet Shqipëri-Izrael mbështeten në një histori të veçantë miqësie, respekti dhe solidariteti, të cilat përbëjnë një bazë të fortë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen. Gjatë vizitës, Ministri Hoxha dhe homologu i tij nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, e cila shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Marrëveshja krijon një kuadër të gjerë bashkëpunimi ndërqeveritar dhe vendos një mekanizëm të strukturuar për zhvillimin e partneriteteve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia dhe tregtia, inovacioni dhe teknologjia, bujqësia, menaxhimi i ujërave, energjia, shëndetësia, arsimi, siguria, turizmi dhe kultura. Në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi në fushën e turizmit ka njohur zhvillime shumë pozitive vitet e fundit, duke u shndërruar në një prej sektorëve më dinamikë dhe premtues të marrëdhënieve dypalëshe.

Gjatë takimit, Ministri Hoxha rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të sigurisë së Izraelit, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e përpjekjeve për arritjen e një zgjidhjeje që garanton paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë për të gjithë rajonin. Vizita shërbeu gjithashtu si një mundësi për të rikonfirmuar angazhimin e Shqipërisë kundër terrorizmit, ekstremizmit, antisemitizmit dhe çdo forme urrejtjeje. Në këtë kuadër, Ministri Sa’ar vizitoi ekspozitën arkivore që dokumenton traditën e njohur shqiptare të mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, një kapitull krenarie në historinë e vendit tonë.

Dy ministrat vlerësuan rëndësinë e vijimit të dialogut politik dhe të bashkëpunimit në të gjitha nivelet, përmes koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve, në funksion të forcimit të mëtejshëm të partneritetit Shqipëri-Izrael.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme