Shqipëria larg rrezikut nga rrezatimi, ekspertët: Nuk ka vend për panik, kemi 10 pika monitorimi

Shëndet | 1 vit më parë

Pavarësisht panikut të shtuar nga videot në rrjetet sociale, Shqipëria e ka zero nivelin e rrezikut nga rrezatimet radioaktive me origjinë nga ndonjë shpërthim i mundshëm në Iran.

Eksperti për çështjet e rrezatimeve dhe burimeve radioaktive në Institutin e Shëndetit Publik, Rustem Paci, thotë për RTSH se Shqipëria i ka gati planet e aktivizimit të emergjencave në këtë drejtim dhe publiku duhet të orientohet vetëm nga njoftimet zyrtare.

“Një faktor që është shumë pozitiv është fakti që Irani është një vend shumë larg Shqipërisë. Plani kombëtar i emergjencave përfshin dy centrale bërthamore, që ne i kemi afër në rast aksidenti, që janë ai i Kostodovit në Bullgari dhe i Kërckos në Slloveni, rreth 300 km larg në vijë ajrore, të cilët mund të kenë impakt sado të vogël, por plani kombëtar i emergjencave i ka marrë në konsideratë. Plani ka të përcaktuar qartë rregullat dhe detyrimet që duhet të ndjekin institucionet me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik. Publiku duhet të orientohet tek komentet dhe udhëzimet e qeverisë, jo nëpër portale të cilat po vë re se po përhapin panik të panevojshëm,” thotë Dr. Paci.

Shqipëria, sinjalin e parë të pranisë së radioaktivitetit në ajër e merr nga 10 pikat e monitorimit që ka të shpërndara në të gjithë territorin e që janë me vetaktivizim.

“Monitorimi bëhet nga Instituti i Fizikës Bërthamore dhe nga një ministri e caktuar. Këto bëjnë matjen e nivelit të radioaktivitetit në ajër çdo 10 minuta, e cila është edhe pika e parë e zbulimit të një incidenti nga ana e Shqipërisë. Shqipëria, duke qenë anëtare e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, ka kanalet e saj të komunikimit nëpërmjet institucioneve të caktuara, pikërisht për të reaguar në rast emergjencash radiologjike, që lidhen më materialet radioaktive ose bërthamore,” shpjegon eksperti për çështjet e rrezatimit.

Planet kombëtare të emergjencave radiologjike nuk janë standarde. Ato përshtaten në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare në kohë të shpejtë sipas shkallës së rrezikut të përhapjes, kushteve atmosferike etj. dhe komunikohen për publikun.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme