Shtohen intoksikacionet nga medikamentet dhe drogat, adiktologia: Vijnë si pasojë me situatave të rënduara emocionale
Overdozë me medikamente të shëndetit mendor, komë për shkak të përzierjes së opiateve, lëndëve narkotike dhe alkoolit, janë këto intoksikacionet më të shpeshta që po trajtohen në Klinikën e Toksikologjisë në QSUT gjatë këtyre ditëve.
Toksikologia dhe adiktologia Matilda Kambo thotë për RTSH se rastet i përkasin moshave të reja dhe vijnë si pasojë e situatave të rënduara emocionale
“Janë të sëmurë të shëndetit mendor, të cilët marrin terapi mbajtëse dhe bëjnë overdozë me medikamentet që ata përdorin. Pra, ka një terapi mbajtëse me Depakine dhe për shkak të ndryshimit të humorit bëjnë tentativë suicidale me medikamentet e veta. Kemi pasur edhe raste me intoksikacion për shkak të overdozave me metadon. Pra, pacientët të cilët marrin metadon për shkak të gjendjes emocionale që kanë pasur, kanë tejkaluar dozën, të cilën e kanë të kombinuar ose me alkool ose me benzodiazepina, dhe kanë kaluar në komë. Më pas e kalojnë situatën kritike në reanimacion dhe zbresin në pavijon. Edhe pse jemi në verë, pothuajse pavijonit është plot,” thotë Dr. Kambo.
Tentativat e vetëvrasjes prekin edhe vajza shumë të reja në moshë, mbi 17 vjeçe, për shkak të një depresioni të patrajtuar.
“Tentativa suicidale, të cilat mund të bëjnë me medikamente, me lëndë korrozive, siç janë detergjentët, antiinflamatorë etj. Këtu kemi vajza të grupmoshave të ndryshme mbi 17 vjeçe,” tregon mjekja toksikologe.
Të gjitha rastet fatmirësisht i janë përgjigjur pozitivisht trajtimit në klinikë, por sfidat e tyre jashtë spitalit me shëndetin mendor vijojnë dhe situatat mund të përsëriten.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




