Shtohet lista e barnave të rimbursueshme, Fondi i Sigurimit Shëndetësor garanton se nuk është mbyllur asnjë farmaci
Lista e re e Barnave që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor përshin afro 1366 barna, prej të cilëve 211 spitalore.
Drejtori i FSDKSH-së, Arti Papajani në një intervistë për RTSH-në sqaron se nevoja për të mbuluar një spektër më të gjerë të diagnozave e ka shtuar numrin e barnave në listë.
“Lista e barnave është një sistem i integruar që balancon kujdesin e pacientëve me standardet e mbrojtjes së kujdesit shëndetësor, një proces që ndryshon vazhdimisht dhe që ka në qëllim zgjerimin e barnave të reja dhe plotësimin e nevojave të qytetarëve. Aktualisht në listën e barnave që funksionojnë janë 1366 barna nga të cilat 211 janë barna spitalore”, tha Papajani.
Për Papajanin, rastet e mosmarrjes nga qytetarët e barnave nga lista e rimbursueshme në farmaci janë të rralla.
“Kjo mund të vijë nga dy faktorë, e para që edhe farmacitë duhet të përditësohen në lidhje me sistemin ose mund të ketë keqinformime dhe veprime nga ana e mjekëve të familjes të cilët nuk janë familjarizuar me barnat e reja apo me çmimet e reja”, theksoi ai.
Papajani thekson se procesi i kontrollit vijon si një procedurë normale administrative, që asesi nuk ka qëllim të ndëshkojë farmacitë, por të garantojë transparencë.
“Nuk është ndërprerë ndonjë kontratë në lidhje me ato që nuk kanë të bëjnë me procedura të identifikimit të drejtpërdrejtë të fiktivitetit. Farmacitë duhet të vijojnë punën normalisht, mbeten këto kontrata në fuqi sikurse kanë qenë dhe të pacënuara deri më tani”, nënvizoi Papajani.
Hartimi dhe miratimi i listës së barnave që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe masa e mbulimit të çmimit të tyre përfshin nevojat reale të pacientëve, bazuar dhe në përparësitë reale që vetë shërbimet universitare kanë.
Gazetare: E: Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




