Situata e reshjeve në Shkodër, Drini në rënie, Oboti vijon të përballet me përmbytje

Problematikat nga reshjet e fundit vijojnë të jenë të pranishme në zonën e Obotit, ku sipërfaqe të tokave bujqësore mbeten ende nën ujë dhe aksi rrugor që lidh fshatin me rrugën kryesore ka rreth 40–45 centimetra prezencë uji. Megjithatë, autoritetet raportojnë se niveli i ujërave është në rënie dhe deri më tani nuk ka banesa të rrethuara.
Sipas të dhënave zyrtare, situata e emergjencave civile në territorin e Qarku Shkodër paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme dhe në përmirësim. Në Bashkinë Shkodër vihet re një stabilizim i gjendjes, me tendencë të lehtë uljeje të nivelit të ujit. Në mbështetje të banorëve të Obotit janë vendosur në gatishmëri mjete të kalueshmërisë së lartë, të cilat do të ndërhyjnë sipas nevojave.
Nga monitorimet e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë rezulton se nivelet e ujit mbeten nën kuotat kritike. Niveli i liqenit është regjistruar në 7.90 metra, ndërsa lumi Drin në 7.70 metra, me tendencë rënieje krahasuar me orët e mëparshme. Nuk raportohen problematika në funksionimin e kanaleve kulluese, argjinaturave mbrojtëse apo në digën e rezervuarit të Shtodrit.
Sa i përket infrastrukturës rrugore, në aksin Bogë–Theth reshjet kanë pushuar dhe rruga është pastruar e zgjeruar deri në zonën e Qafë Thorës, pranë tunelit të parë. Strukturat përgjegjëse dhe mjetet e ndërhyrjes vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri në rast të ndryshimit të kushteve atmosferike.
Në territorin e Bashkia Vau i Dejës, Bashkia Malësi e Madhe, Bashkia Pukë dhe Bashkia Fushë-Arrëz situata paraqitet e qetë dhe nën kontroll, pa raportime për emergjenca apo dëme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




