Skemë mashtruese me TVSH duke i shkaktuar shtetit 62 mln lekë dëm, një i arrestuar në Tiranë

Aktualitet | 8 muaj më parë

Një person është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, pasi dyshohet se kishte krijuar një skemë mashtruese me TVSH-në përmes shitjeve fiktive. Në pranga përfundoi shtetasi Gj.F., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Sipas hetimeve të zhvilluara gjatë vitit 2024, subjekti tregtar “Dorina Fela” dyshohet se ka realizuar shitje fiktive në vlerën totale 149,875,867 lekë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të përllogaritur prej 62,670,861 lekësh.

Hetimet kanë zbuluar se këto veprime janë kryer përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim ndërtimin e një skeme mashtruese fiskale. Skema synonte përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së si dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin, në dëm të interesave financiare të shtetit.

Në kuadër të procedimit penal, u ndalua shtetasi Gj.F., për të cilin dyshohet se ka pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari të paligjshme. Sipas hetimeve paraprake, ai ka përdorur subjektin tregtar të regjistruar në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e skemës mashtruese.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë, me qëllim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të skemës, si dhe të pasojave financiare të saj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme