Sokol Sadushi i dorëzon detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Ilir Pandës

Në një ceremoni të zhvilluar sot në Sallën e Kolegjeve të Bashkuara, z. Sokol Sadushi i dorëzoi zyrtarisht detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë z. Ilir Panda. Në këtë moment të rëndësishëm institucional morën pjesë gjyqtarët e trupës, këshilltarët ligjorë si dhe punonjësit e administratës.
Ceremonia shënoi përmbylljen e një periudhe gjashtëvjeçare të drejtimit nga z. Sadushi, gjatë së cilës institucioni u përball me sfida të mëdha, si uljen e stokut të dosjeve, rritjen e cilësisë së vendimeve dhe forcimin e transparencës me publikun.
Në fjalën e tij, z. Sadushi falënderoi ekipin për përkushtimin dhe bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, duke kujtuar fillimet me vetëm një gjyqtar e mijëra dosje në pritje. Duke konfirmuar se do të vijojë kontributin e tij pranë këtij institucioni si gjyqtar, ai u shpreh:
“Për mua përfundon sot detyra e kryetarit, ndërsa vijon përgjegjësia si gjyqtar i kësaj gjykate. Do të vazhdoj të punoj përkrah jush, me të njëjtin përkushtim ndaj institucionit dhe ndaj qytetarëve që presin drejtësi.”
Nga ana e tij, Kryetari i ri, z. Ilir Panda, e cilësoi marrjen e detyrës si një angazhim të lartë ndaj Kushtetutës dhe qytetarëve, duke vlerësuar punën e bërë për ringritjen e Gjykatës së Lartë. Ai nënvizoi se besimi i publikut ndërtohet përmes standardeve të larta dhe punës së përditshme, duke theksuar:
“Besimi i publikut ndërtohet përmes cilësisë së vendimmarrjes, arsyetimit të qartë e të qëndrueshëm gjyqësor, administrimit efikas të proceseve dhe përgjegjësisë institucionale.”
Kalimi i detyrës shënon vazhdimësinë e punës institucionale për garantimin e një drejtësie cilësore, të paanshme dhe të besueshme për të gjithë qytetarët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




