Spahiu nga Trauma: Shërbimet sociale në mbështetje të të miturve. Prindërit të mbrojnë fëmijët

Politikë | 33 minuta më parë

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu u ka bërë thirrje prindërve dhe profesionistëve që të kujdesen për fëmijët dhe të rinjtë, ndërsa ka ngritur shqetësimin për përhapjen e lajmeve të rreme.

Në një mesazh nga Spitali Universitar i Traumës, ministrja vlerësoi punën e ekipeve të Qendrës Kombëtare të Urgjencës dhe të personelit shëndetësor në të gjithë vendin, të cilët po ofrojnë ndihmë të pandërprerë për personat që kanë nevojë për kujdes mjekësor.

Spahiu u bëri apel prindërve, kujdestarëve, punonjësve socialë dhe profesionistëve që të komunikojnë me fëmijët, t’i dëgjojnë dhe të kuptojnë shqetësimet e tyre, duke theksuar rëndësinë e pranisë dhe mbrojtjes së të rriturve në situata të vështira.

Ajo bëri të ditur se shërbimet sociale dhe psikologët janë të angazhuar për të mbështetur të miturit që kanë nevojë për ndihmë, ndërsa nënvizoi se mbrojtja e tyre është përgjegjësi e përbashkët.

“Prej disa ditësh, Spitali Universitar i Traumës po përballon një fluks të shtuar të të lënduarve. Në këto momente të vështira, dua të falënderoj nga zemra ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës, stafet shëndetësore në të gjithë vendin, për përkushtimin, profesionalizmin dhe gatishmërinë e tyre, pa ndërprerje, për t’i ardhur në ndihmë çdo personi që ka pasur nevojë për kujdes. U bëj thirrje prindërve, kujdestarëve, punonjësve socialë dhe të gjithë profesionistëve që të flasin me fëmijët dhe të rinjtë, t’i dëgjojnë dhe të kuptojnë shqetësimet e tyre. Fëmijët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, por kanë nevojë edhe për praninë, kujdesin dhe mbrojtjen tonë.

Asnjë nuk duhet të mbetet i pambrojtur në situata që rrezikojnë sigurinë e tij. Shërbimet sociale dhe psikologët janë të angazhuar për të mbështetur të miturit që kanë nevojë për ndihmë. Por përgjegjësia për t’i mbrojtur është e përbashkët”, deklaroi Spahiu.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Spahiu lidhet me përhapjen e lajmeve të rreme, pamjeve të manipuluara dhe materialeve të nxjerra jashtë kontekstit. Ministrja u kërkoi qytetarëve të verifikojnë informacionet përpara se t’i shpërndajnë dhe t’u referohen burimeve zyrtare, për të shmangur shtimin e frikës dhe tensioneve.

“Një shqetësim tjetër është përhapja e lajmeve të rreme dhe e pamjeve të manipuluara ose të nxjerra jashtë kontekstit. Ju ftoj të verifikoni informacionin përpara se ta shpërndani dhe t’u referoheni burimeve zyrtare. Në momente të tilla, informacioni i përgjegjshëm është thelbësor për të mos shtuar frikën dhe tensionin. Dua t’i siguroj qytetarët se strukturat shëndetësore dhe sociale vijojnë detyrën e tyre, duke ofruar kujdes dhe mbështetje për këdo që ka nevojë. E di që këto ditë janë të vështira. Por siguria e fëmijëve, shëndeti dhe jeta e çdo qytetari duhet të jenë mbi çdo ndarje dhe kundërshti.

Le t’i mbrojmë fëmijët nga rreziqet që mund të parandalojmë. Le të mos lejojmë që frika, zemërimi apo informacioni i pavërtetë të na largojnë nga përgjegjësia që kemi ndaj tyre. T’i dëgjojmë. T’i kuptojmë. T’i mbrojmë. Fëmijët janë të parët!”, thekson Spahiu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme