Spahiu: Paketa e re në shkolla lehtëson prindërit nga shqetësimi për sigurinë e fëmijëve

Shëndet | 47 minuta më parë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka theksuar sot rëndësinë e paketës së re të sigurisë në shkolla, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Kamëz.

Ajo vuri në dukje se suksesi i kësaj pakete varet nga bashkëpunimi i ngushtë mes të gjitha hallkave të sistemit, me qëllim që prindërit të ndihen të qetë se fëmijët e tyre janë të mbrojtur si brenda, ashtu edhe jashtë mjediseve shkollore.

“Nëse ne si hallka të zinxhirit do të funksionojmë ashtu siç duhet, ne prindin e lehtësojmë nga ajo pikëpyetje e madhe që ka. A është fëmija im i sigurt në shkollë? A jam unë i qetë të punoj dhe fëmija jo vetëm brenda shkollës, por edhe në territorin jashtë shkollës të jetë i mbrojtur?”, deklaroi ministrja Spahiu.

Ajo theksoi se përgjigjja ndaj kësaj shqetësimi kërkon ndërhyrje të përbashkët, në mënyrë që nxënësit e sotëm – doktorët, ministrat dhe arkitektët e së nesërmes – të rriten të shëndetshëm fizikisht dhe mentalisht.

Sipas ministres, Ministria e Shëndetësisë ka përgjegjësi të drejtpërdrejta për të garantuar higjienë të lartë në shkolla, furnizim me ujë të pijshëm sipas standardeve dhe kushte të përshtatshme sanitare. Por ajo vuri theksin te përgjegjësia edhe më e madhe për shëndetin mendor të nxënësve.

“Përgjegjësia është shumë herë më e madhe për shëndetin mendor të nxënësve dhe kjo vjen vetëm nga një bashkëpunim shumë i mirë midis gjithë stafit. Jo pa qëllim sot në shkolla e kemi punonjësin social dhe psikologun. Jo pa qëllim vazhdimisht e themi që punën e psikologut duhet ta bëjë çdo mësues i shkollës, sepse nëse identifikohet që herët një problem i vogël, zgjidhet shumë herë më kollaj”, tha Spahiu.

Ministrja u drejtua edhe drejtpërdrejt nxënësve, duke i inkurajuar të kujdesen për shëndetin e tyre, të angazhohen në sport dhe të mbajnë larg çdo lëndë të dëmshme.

“Atë duhanin me të gjitha format e veta dua ta kryqëzoj, sepse ju të gjithë e dini se çfarë dëmesh shumë të mëdha ju shkakton, sidomos që nga kjo moshë. Çdo lëndë e dëmshme për organizmin tuaj duhet të jetë larg jush, jo vetëm në territorin e shkollës, por edhe jashtë saj. Mendoni për shëndetin që është gjëja më e shtrenjtë që ka njeriu në jetë”, theksoi ajo.

Spahiu, e cila është në detyrë prej vetëm dy javësh, konfirmoi se mirëqenia dhe mirëritja e fëmijëve janë prioriteti kryesor i saj. Ajo u zotua se do të punohet me përkushtim edhe për fëmijët me aftësi ndryshe, që të integrohen sa më mirë në shkollat e zakonshme dhe që prindërit e tyre të ndihen të mbështetur.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme