Spahiu takim me drejtuesit e QSUNT: Të përdoren më mirë kapacitetet spitalore për shërbime më cilësore ndaj qytetarëve

Shëndet | 54 minuta më parë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, zhvilloi një takim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me drejtuesit e institucionit më të madh shëndetësor në vend, ku theksi u vendos te forcimi i koordinimit, rritja e eficiencës dhe përgjegjshmërisë në çdo hallkë të sistemit spitalor.

Në një reagim në rrjetet sociale, ministrja Spahiu bëri të ditur se ka kërkuar përdorimin sa më efektiv të kapaciteteve të të gjithë sistemit spitalor, me qëllim lehtësimin e ngarkesës së QSUNT-së dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

“Kërkova përdorimin sa më të mirë të kapaciteteve të të gjithë sistemit spitalor, për të lehtësuar ngarkesën e QSUNT, përmirësuar shërbimet dhe për t’u dhënë qytetarëve kujdes më cilësor dhe në kohë”, shkroi ministrja.

Sipas saj, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet shëndetit të fëmijëve, përmes një qasjeje më të integruar ndaj shërbimeve pediatrike dhe nevojave që ka kjo kategori pacientësh.

Ministrja theksoi gjithashtu se Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” duhet të shërbejë si model i menaxhimit modern dhe efikas në sistemin shëndetësor shqiptar.

“QSUNT duhet të jetë shembull i një menaxhimi modern, efikas dhe mbi të gjitha, të orientuar te pacienti”, u shpreh Spahiu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme