Spahiu viziton efektivët e lënduar te Trauma: Shëndeti dhe jeta e çdo qytetari janë mbi gjithçka

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka vizituar Spitalin Universitar të Traumës, ku po marrin trajtim mjekësor dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit dhe protestues të lënduar gjatë përplasjeve në Tiranë.
Spahiu ka shprehur mirënjohjen për mjekët dhe infermierët, të cilët gjatë pesë ditëve të protestave kanë vijuar punën pa ndërprerje, duke ofruar kujdes shëndetësor për të gjithë personat e lënduar.
Ministrja theksoi se ndihma mjekësore është ofruar pa dallim, ndërsa nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të çdo qytetari, pavarësisht nëse bëhet fjalë për protestues apo punonjës të policisë.
“Mirënjohje për të gjitha ekipet e mjekëve dhe infermierëve, që gjatë këtyre pesë ditëve kanë qenë pa ndërprerje në krye të detyrës, duke ofruar kujdes dhe ndihmë mjekësore për çdo të lënduar, pa asnjë dallim”, thuhet në reagimin e ministres.
Spahiu theksoi se shëndeti dhe jeta e çdo qytetari mbeten mbi gjithçka, në një kohë kur protestat në kryeqytet janë shoqëruar me përplasje dhe dhjetëra të lënduar që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



