SPAK dërgon për gjykim ish-kryebashkiakun e Memaliajt dhe zyrtarët e tij për shkelje të barazisë në tendera

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-kryebashkiakun e Memaliajt, Gjolek Guci, ish-nënkryetaren e bashkisë Edmonda Harizi, ish-drejtoren e Shërbimeve Publike Feta Hoxha dhe administratorin e një subjekti, Bersant Ylli, për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike.
Hetimet kanë treguar se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, krijuan avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorë të tretë, duke shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “KEG” sh.p.k. & “ED Konstruksion” sh.p.k., të cilët kishin mangësi në dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht për kriteret e kapacitetit teknik.
Nga hetimet ka rezultuar se Guci, në detyrën e kryebashkiakut, më 21 shtator 2020 nënshkroi kontratën e dhurimit me operatorin ekonomik “Artreum Generation”, ndërsa projekti për ndërtimin e Ujësjellësit Rajonal për fshatrat Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahës dhe qytetin Memaliaj, ishte miratuar gjithashtu nga ai.
Fondi për objektin, në vlerën 493.183.572 lekë, u ndanë për ndërtim, montim, drejtim dhe kolaudim të punimeve. Vlera e miratuar ishte identike me kostot e projektit të dhuruar nga “Artreum Generation”, nënkontraktore e njërës prej kompanive fituese të tenderit.
Hetimet treguan se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave – Edmonda Harizi, Feta Hoxha, Bersant Ylli – dhe kryetari i Bashkisë, Gjolek Guci, krijuan avantazhe të padrejta për operatorët ekonomikë të shpallur fitues, duke lejuar që një nënkontraktor në konflikt interesi të merrte pjesë në projekt.
Operatori “Artreum Generation”, që kishte dhuruar projektin dhe kishte hartuar specifikimet teknike, nuk plotësonte kriteret ligjore si nënkontraktor, por megjithatë u pranua në proces.
Hetimet e SPAK nisën pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit më 28 tetor 2024, dhe më 4 nëntor 2024 u regjistrua procedimi penal për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 216/1 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:
Gjolek Guci, ish-Kryetar i Bashkisë Memaliaj, i akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal (përpara ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021, datë 23.03.2021);
Edmonda Harizi, ish-Nënkryetare e Bashkisë Memaliaj, e akuzuar për të njëjtën vepër penale;
Feta Hoxha, ish-Drejtor i Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Memaliaj, i akuzuar për të njëjtën vepër penale;
Bersant Ylli, administrator i subjektit “Bersant Ylli”, i akuzuar për të njëjtën vepër penale.
Hetimet kanë nisur mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit më 28.10.2024. Për këtë qëllim, më datë 04.11.2024 është regjistruar procedimi penal për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Objekt i hetimit ka qenë procedura e prokurimit “Ndërtimi i Ujësjellësit Rajonal për fshatrat Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahës dhe qytetin Memaliaj”, e vitit 2021, me autoritet kontraktor Bashkinë Memaliaj.
Nga hetimet ka rezultuar se Kryetari i Bashkisë Memaliaj, shtetasi Gjolek Guci, më 21 shtator të vitit 2020 ka nënshkruar kontratën e dhurimit me nr. 658/1 Prot., me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., të përfaqësuar nga administratori A.Sh. Ndërsa projekti për zbatimin e ndërtimit të ujësjellësit rajonal është miratuar nga Kryetari i Bashkisë Memaliaj.
Fondi për objektin, në vlerën mbi 493 milionë lekë (493.183.572), ishte ndarë në zëra për ndërtim, montim, drejtimin dhe kolaudimin e punimeve. Vlera e miratuar ishte e njëjtë me vlerën e kostove në projektin e dhuruar nga shoqëria “Artreum Generation”, nënkontraktore e njërës prej kompanive fituese të tenderit.
Pas analizës së dokumentacionit të procedurës së prokurimit, është konstatuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Edmonda Harizi, Feta Hoxha, Bersant Ylli dhe titullari i autoritetit kontraktor (Bashkia e Memaliajt), shtetasi Gjolek Guci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorë të tretë, duke kualifikuar dhe shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “KEG” sh.p.k. & “ED Konstruksion” sh.p.k., të cilët kishin mangësi në dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht në kriteret për kapacitetin teknik.
Gjithashtu, është pranuar nënkontraktimi me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., i cili ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit, pasi kishte dhuruar projektin dhe kishte hartuar specifikimet teknike dhe nuk plotësonte kriteret ligjore për nënkontraktor.
Në datë 28.01.2026, është vendosur ndarja e procedimit penal nr. 216 në procedimin penal 216/1, për hetime të mëtejshme lidhur me zbatimin e kontratës, për të cilën kërkohet kryerja e veprimeve hetimore të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




