SPAK hap thirrjen, Byroja Kombëtare e Hetimit kërkon 40 hetues të rinj, kushtet e aplikimit dhe procedurat e pranimit

Aktualitet | 2 muaj më parë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpallur zyrtarisht hapjen e procedurës së konkurrimit për rekrutimin e 40 hetuesve të rinj në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH). Afati për dorëzimin e aplikimeve fillestarë është caktuar deri më datë 14 shtator 2026, ora 16:00.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi i përzgjedhjes synon të afrojë profesionistë me integritet të lartë dhe përvojë në institucionet e zbatimit të ligjit ose fusha të ngjashme.

“Procedura është e hapur, transparente, konkurruese dhe e bazuar në meritë, integritet, aftësi profesionale, aftësi fizike, aftësi komunikimi dhe standarde të larta etike,” theksohet në njoftimin e BKH-së.

Kriteret e Aplikimit

Për t’u bërë pjesë e garës, kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptarë dhe të zotërojnë arsim të lartë në fusha si policia, drejtësia, kontabiliteti, apo profile të tjera që lidhen me misionin e institucionit. Kërkohet gjithashtu të paktën 1 vit përvojë pune e provueshme në zbatimin e ligjit.

Përveç kualifikimeve profesionale, theksi vihet te pastërtia e figurës dhe gatishmëria për të pranuar kufizime të caktuara të privatësisë, për shkak të natyrës sensitive të detyrës.

Institucioni sqaron se çdo aplikant duhet “të plotësojë kushtet e integritetit, sigurisë, pasurisë dhe figurës,” si dhe të pranojë paraprakisht heqjen dorë nga pritshmëria për jetë private në telekomunikimet vetjake dhe të dhënat financiare.

Fazat e Konkurrimit

Procesi i rekrutimit është i ndarë në disa faza të rrepta eliminatore. Kandidatët do t’i nënshtrohen sipas radhës:

Testit konjitiv, të sjelljes dhe arsyetimit logjik.

Testimit të aftësive fizike.

Testit të zgjeruar me shkrim.

Intervistës së strukturuar.

Ata që kalojnë me sukses këto faza të pikëzuara, do t’i nënshtrohen detyrimisht testit të poligrafit (makinës së të vërtetës), verifikimit të detajuar të pasurisë dhe figurës, si dhe kontrolleve mjekësore e psikologjike.

Kushtet e punës dhe trajtimi financiar

Pozicioni i hetuesit të BKH-së ofron një status të posaçëm me trajtim të lartë financiar, por kërkon një angazhim të rreptë dhe afatgjatë. Paga e hetuesit do të përbëhet nga paga bazë, e barabartë me 60% të pagës bruto fillestare të prokurorit të SPAK-ut, si dhe një shtesë për vështirësi pune në masën 70% të kësaj page bruto.

Megjithatë, kandidatët fitues duhet t’i përkushtohen institucionit për një periudhë të konsiderueshme kohore.

“Punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas përfundimit të trajnimit të nevojshëm dhe emërimit në detyrë, shërben për një periudhë jo më pak se 7 vjet pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit,” detajon njoftimi.

Të gjithë të interesuarit ftohen të dërgojnë formularin elektronik së bashku me dokumentacionin shoqërues në adresën [email protected], si dhe ta nisin atë fizikisht me postë pranë zyrave të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Tiranë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme