SPAK i komunikon akuzat Ballukut, pesë vepra penale në dosje

Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është paraqitur këtë të martë, më 20 tetor 2026, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku, në prani të avokatit të saj mbrojtës, i janë komunikuar akuzat përfundimtare.
Sipas njoftimit të SPAK, Balluku akuzohet për 5 vepra penale, që lidhen me procedurat e prokurimit publik, korrupsionin, deklarimin e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
““Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
“Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
“Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme). Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Në fokus të hetimeve të SPAK janë ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, disa lote të Unazës së Madhe të Tiranës, si dhe procedura të tjera tenderuese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



