Spiropali pritet në Stamboll nga homologu turk: Partneriteti strategjik në rritje, bashkëpunim për organizimin e samitit të NATO-s në Tiranë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ndodhet në Stamboll ku do të marrë pjesë në Takimin e Dytë të Ministrave të Jashtëm të Platformës për Paqe Ballkanike, me ftesë të homologut të saj turk Hakan Fidan.
Platforma është një iniciativë e Ministrit të Jashtëm të Turqisë me fokus zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal në të gjitha fushat me interes të përbashkët, shkëmbimin e pikëpamjeve mbi ndërlidhjen e infrastrukturës, sigurinë energjetike, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe mbrojtjes.
Përpara takimit të nivelit të lartë, Ministrja Spiropali u prit në një takim nga Ministri Hakan Fidan, me fokus thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushat me interes të përbashkët.
Spiropali theksoi se “partneriteti strategjik në rritje mes Shqipërisë dhe Turqisë do të marrë një tjetër peshë me takimin e tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial mes dy vendeve tona përgjatë këtij viti.”
“Mbajtja e Samitit të NATO-s këtë vit në Ankara dhe vitin tjetër në Tiranë, është një mundësi e jashtëzakonshme për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve mike“, tha Spiropali.
Në kushtet aktuale të zhvillimeve gjeopolitike në kontinent por edhe me gjerë, të dy ministrat vlerësuan rëndësinë e rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit për çështjet e sigurisë në rajon.
Gjatë kësaj vizite, Spiropali do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




