Studentët iranianë zhvillojnë protesta të mëdha antiqeveritare

Studentët në disa universitete të Iranit kanë organizuar protesta antiqeveritare, që janë tubimet e para të kësaj përmase, që nga shtypja vdekjeprurëse e protestave të janarit nga autoritetet iraniane. Protestat janë raportuar gjithashtu në universitete të tjera në Teheran, ku studentët u mblodhën për të nderuar ata që humbën jetën në duar të forcave shtetërore gjatë demonstratave të muajit të kaluar.
Këto protesta vijnë në një periudhë tensioni të shtuar, pasi SHBA po forcon praninë e saj ushtarake pranë Iranit, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se po shqyrton mundësinë e një sulmi të kufizuar ushtarak ndaj regjimit iranian. SHBA dhe aleatët e saj evropianë dyshojnë se Irani është duke lëvizur drejt zhvillimit të armëve bërthamore, një akuzë që Teherani e ka mohuar vazhdimisht.
Në mes të këtyre tensioneve, protestuesit në Iran kanë vazhduar të sfidojnë qeverinë. Në një nga protestat, qindra studentë marshuan paqësisht në kampusin e Universitetit të Teknologjisë Sharif në Teheran, duke brohoritur “Vdekje diktatorit”, një referencë e drejtpërdrejtë për Udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, dhe duke ngritur slogane të tjera antiqeveritare.
Në Mashhad, qyteti i dytë më i madh i Iranit në verilindje, studentët thuhet se brohoritën: “Liri, liri” dhe “Studentët, bërtisni për të drejtat tuaja”. Këto demonstrata pasojnë valën e protestave të janarit, që filluan për shkak të problemeve ekonomike dhe shumë shpejt u përhapën, duke u bërë më të mëdhatë që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




