Studentët paralajmërojnë protestë më 18 maj për jurisprudencën në gjuhën shqipe – Mickoski: Shumë shpejt do të dalim me propozim zgjidhje

Pas paralajmërimit të studentëve shqiptarë të juridikut për protestë më 18 maj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se kërkesa e tyre për të hyrë në provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe do të zgjidhet “së shpejti”.
Ai u bëri thirrje studentëve që të kenë durim, duke theksuar se qeveria po punon për një propozim që do të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare.
“Jam i bindur që shumë shpejtë do të dalim me propozim-zgjidhje. I lus të gjithë ata që janë pjesë e këtij procesi që të jenë të durueshëm, sepse ka forca politike në shtet që nuk duan reforma, por duan trazira e protesta. Ata kanë pasur mundësi për më shumë se 20 vite ta zgjidhnin këtë çështje”, tha Mickoski.
Kryeministri akuzoi opozitën se qëndron pas protestave të studentëve, duke i cilësuar si përpjekje për tensione në vend.
Ai përsëriti se grupet punuese të qeverisë po përgatisin një propozim-ligj, i cili më pas do t’i dërgohet Komisionit të Venecias për mendim.
“Ne jemi qeveri e përkushtuar për të zgjidhur çështje dhe jam i bindur se së shpejti do të dalim me zgjidhje”, shtoi ai.
Studentët shqiptarë nuk pajtohen me interpretimet e qeverisë dhe insistojnë se ligjet ekzistuese u japin të drejtën të hyjnë në provim në gjuhën shqipe.
Ata thonë se do të vazhdojnë protestat derisa të sigurohet një zgjidhje konkrete.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




