Subvencionet për bletarinë, ministria e Bujqësisë sugjeron bashkimin e fermerëve për më shumë përfitime
Interesi i bletarëve për të përfituar nga skemat e subvencioneve është rritur këtë vit. Drejtori i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në Qarkun Shkodër , Andi Bilali, bën të ditur se janë regjistruar rreth 200 aplikime më shumë krahasuar me vitin e kaluar, çka tregon interesin në rritje të fermerëve për zhvillimin e këtij sektori.
“Rreth 200 aplikime më shumë se vitin 2025. Kjo si duket nikoj edhe nga efikasiteti i skemës. E dini që ra numri i aplikimit të kosherave nga 50 koshere në 25. U rrit vlera për koshere nga 10.000 në 20.000” tha Andi Bilali, Drejtor i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në Qarkun Shkodër.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, Nikolin Uçaj, vlerëson cilësinë e mjaltit që prodhohet në zonat malore, ku bimësia mjekësore dhe aromatike i jep produktit karakteristika të veçanta. Sipas tij, një mundësi për të rritur përfitimet nga skemat mbështetëse është bashkimi i bletarëve në grupe.
“Mjalti që vjen nga zonat kodrinore, malore apo fushore të Shkodrës, pjesa e mbi Shkodrës që është e gjitha me bimë medicinale. Mjalti i merr substancat që kanë bimët medicinale. Ndoshta më e rëndësishme dhe më e favorshme për ju edhe për të përfituar ndihmë dhe mbështetje nga programet financiare që jep shteti është të krijojnë një farë lloj bashkimi.”, tha Nikolin Uçaj, përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë.
Skemat e subvencioneve kanë ndikuar edhe në rritjen e masës së përfitimit për kosherë, duke ofruar më shumë mbështetje financiare për bletarët. Kjo mbështetje synon të nxisë shtimin e prodhimit, ruajtjen e cilësisë së mjaltit dhe zhvillimin e mëtejshëm të bletarisë, veçanërisht në zonat malore të qarkut të Shkodrës.
Gazetare: M. Gjoni/ Operator: M. Guri/ Montazh: L. Dani
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




