Sulm kibernetik në Postën Shqiptare, AKSK: Shërbimet funksionale, të dhënat e ekspozuara të kufizuara

Aktualitet | 7 muaj më parë

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka bërë të ditur se dje, 25 mars 2026, është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Postës Shqiptare.

AKSK informon se bazuar në vlerësimin paraprak, nuk janë identifikuar të dhëna të enkriptuara apo të fshira, si dhe nuk janë konstatuar ndërprerje të shërbimeve si pasojë direkte e këtij incidenti.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, AKSK njofton se ka ndërrmarë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike.

Ky grup ka nisur menjëherë punën në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Postës Shqiptare për: analizimin e thelluar të incidentit dhe verifikimin e çdo komprometimi të mundshëm; identifikimin e indikatorëve të komprometimit (IOC); analizën e log-eve dhe event-eve në sistemet kritike si edhe izolimin dhe sigurimin e sistemeve, me qëllim parandalimin e çdo ndikimi të mëtejshëm.

“Në kuadër të masave parandaluese dhe për të mundësuar një analizë të plotë teknike, disa shërbime janë vendosur përkohësisht jashtë funksioni nga vetë Posta Shqiptare, me rekomandim të Autoritetit. Aktualisht, të gjitha shërbimet publike janë rikthyer dhe janë funksionale për publikun.

Ndërkohë, në burime të hapura janë publikuar disa të dhëna të dyshuara si të eksfiltruara, të cilat po verifikohen për autenticitetin dhe burimin e tyre. Deri në këtë moment, sasia e të dhënave të mundshme të ekspozuara vlerësohet e kufizuar.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.

AKSK do të vijojë të informojë publikun në mënyrë transparente mbi zhvillimet e mëtejshme dhe do të publikojë një raport përfundimtar pas përmbylljes së analizës.

Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të AKSK”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme