Sulm me armë zjarri pranë Parisit, PNAT hap hetim për terrorizëm me prapavijë raciste

Europë | 43 minuta më parë

Zyra e Prokurorit Kombëtar Antiterrorizëm në Francë (PNAT) ka marrë përsipër hetimin lidhur me sulmin me armë zjarri të ndodhur në komunat Trappes dhe La Verrière, në departamentin Yvelines, rreth dyzet kilometra në jugperëndim të Parisit.

I dyshuari u arrestua nga shërbimet e policisë në komunën fqinje të Coignières, pak kohë pas ndodhjes së incidentit rreth orës 10:30 të mëngjesit. Autoritetet gjyqësore po e hetojnë ngjarjen për “vrasje në lidhje me një sipërmarrje terroriste, me rrethanë rënduese se aktet janë kryer për shkak të përkatësisë, reale ose të supozuar, në një racë, etni, komb ose fe specifike”.

Hetimi përfshin gjithashtu veprat penale të “posedimit të armëve të kategorisë A” dhe “komplotit kriminal terrorist”.

Kryetari i bashkisë së Trappes, Ali Rabeh, konfirmoi për mediat se viktima që humbi jetën është me origjinë afrikane, ndërsa një nga të plagosurit rëndë është me origjinë nga Magrebi. Lidhur me motivet e mundshme, Rabeh nënvizoi se i mbetet organeve të drejtësisë të përcaktojnë nëse i dyshuari ka vepruar me prapavijë raciste apo ideologjike.

Ndërkohë, prefektura e Yvelines dhe shërbimet e emergjencës kanë ngritur struktura të ndihmës psikologjike në terren për dëshmitarët dhe familjarët e viktimave, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe profileve të përfshira.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme