Sulm me thikë në një shkollë në Stamboll, 15-vjeçarja plagos tetë nxënëse

Tetë nxënëse janë plagosur në një sulm me thikë në një shkollë të mesme në Kayaşehir, në Başakşehir të Stambollit. Tre prej tyre raportohet se ndodhen në gjendje kritike, ndërsa autorja e dyshuar është ndaluar nga policia.
Ngjarja ndodhi rreth orës 08:40 të mëngjesit në Shkollën e Mesme Kayaşehir Şeyh Şamil Imam Hatip. Sipas raportimeve, një vajzë që kishte ndjekur më parë mësimet në këtë shkollë është paraqitur në ambientet e saj e veshur me uniformën shkollore. Më pas, ajo dyshohet se ka shkuar në shkollë, ku për një arsye që ende nuk është bërë e ditur ka sulmuar me thikë tetë nxënëse.
Pas alarmit, në vendngjarje u dërguan forca të shumta policie dhe ekipe mjekësore. Të plagosurat morën ndihmën e parë në vend dhe më pas u transportuan me ambulanca në spital. Sipas raportimeve, tre nga nxënëset e plagosura ndodhen në gjendje kritike.
Policia ka ndaluar personin e dyshuar për sulmin dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Nëna e 15-vjeçares së dyshuar është marrë gjithashtu në pyetje. Në deklarimin e saj fillestar, ajo ka pretenduar se vajza e saj vuan nga çrregullimi i ankthit social. Ngjarja shkaktoi panik te prindërit, të cilët u drejtuan menjëherë pranë shkollës për të mësuar për gjendjen e fëmijëve të tyre. Policia vendosi një perimetër sigurie rreth institucionit.
Sipas autoriteteve, nxënëset e plagosura janë identifikuar me inicialet ZEB, 10 vjeç; LB, 11 vjeç; MMK, 11 vjeç; YD, 10 vjeç; ZK, 10 vjeç; E.Ş., 13 vjeç; R.Ç., 11 vjeç dhe ESB, 10 vjeç. Fillimisht autoritetet lokale raportuan për pesë të plagosur, por numri më pas u konfirmua në tetë nga Ministria turke e Shëndetësisë. Sipas Ministrit turk të Shëndetësisë, Kemal Memişoğlu, njëra prej të plagosurave është në gjendje kritike, ndërsa dy të tjera ndodhen në gjendje të moderuar deri të rëndë. Të gjitha po marrin trajtim në spitalet përkatëse. Hetimi për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të sulmit është në vijim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



