Sulmet nga Irani dhe Hezbollahu, Hoxha telefonatë me homologun izraelit: Shqipëria në solidaritet të plotë me popullin tuaj

Politikë | 7 muaj më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një telefonatë me homologun e tij izraelit, Gideon Sa’ar, ku theksoi solidaritetin e Shqipërisë me popullin izraelit, në këto kohë sfiduese.

Në një postim në rrjetin social X, duke e konsideruar shënjestrimin e civilëve të papranueshëm, Hoxha thotë se Shqipëria qëndron pranëtë prekurve nga sulmet e kryera nga Irani dhe Hezbollahu.

“Faleminderit, Ministër Gideon Sa’ar, për urimet dhe për bisedën tonë të frytshme. Në këto kohë të vështira dhe sfiduese, Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me popullin izraelit dhe të gjithë ata që janë prekur nga sulmet e kryera nga Irani dhe Hezbollahu. Shënjestrimi i civilëve është i papranueshëm, dhe ne vlerësojmë kurajon dhe qëndresën e popullit izraelit, ka thënë ministri.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përpjekjeve ndërkombëtare për të parandaluar përvetësimin e armëve bërthamore apo çdo arme tjetër të shkatërrimit në masë që mund të kërcënojë paqen në rajon.

“Shqipëria mbështet përpjekjet ndërkombëtare vendimtare për të parandaluar përvetësimin nga regjimi iranian, të armëve bërthamore apo të çdo arme tjetër të shkatërrimit në masë që kërcënon paqen në rajon dhe më gjerë. Irani meriton një qeveri nga populli dhe për popullin. Shqipëria së shpejti do të marrë një vendim zyrtar për ta shpallur IRGC, ashtu siç është në të vërtetë: një organizatë terroriste”, shkruan ministri.

Ministri vlerësoi gjithashtu miqësinë lidhjet e forta ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit.

“Unë e vlerësoj thellësisht miqësinë e kahershme dhe lidhjet e forta ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta dhe mbi një histori unike solidariteti midis popujve tanë. Këtë vit shënohet 35-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, një moment i rëndësishëm që pasqyron forcën dhe qëndrueshmërinë e kësaj miqësie. Pres me kënaqësi të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë”, është shprehur ministri Hoxha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme