Taksat vendore 2026, Bashkia Tiranë thirrje bizneseve të vetëdeklarojnë të dhënat!

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore ka ndërmarrë një nismë informuese për të rikujtuar bizneset, por jo vetë ata, edhe qytetarët që kanë pronë e cila përdoret për qëllim tregtar, mbi rëndësinë e vetëdeklarimit të saktë të të dhënave, si një hap thelbësor për përllogaritjen e drejtë të detyrimeve vendore për vitin 2026.
Në kuadër të kësaj nisme, formulari i vetëdeklarimit u është dërguar tashmë taksapaguesve në profilin e tyre në portalin e-Albania, te rubrika “Dokumentat e mia”. Plotësimi i këtij formulari mundëson përditësimin e të dhënave reale dhe shmang pasaktësitë në llogaritjen e detyrimeve vendore.
Procesi i plotësimit është i thjeshtë dhe kryhet përmes disa hapave: hyrja në portalin e-Albania me kredencialet përkatëse si qytetar ose biznes, aksesimi i rubrikës “Dokumentat e mia”, plotësimi i formularit dhe dorëzimi i tij.
Formulari i plotësuar mund të dorëzohet pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, me anë të shërbimit postar, ose online në adresën zyrtare të e-mail: [email protected].
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, thekson se vetëdeklarimi i saktë, para fillimit të procesit të përllogaritjes, garanton një vlerësim korrekt të detyrimeve vendore dhe rrit transparencën në marrëdhënien me taksapaguesit.
Në rastet kur formulari nuk shfaqet në profilin e taksapaguesit në portalin e-Albania, qytetarët dhe bizneset ftohen të përditësojnë të dhënat e tyre pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




