Tarifat e shërbimeve shëndetësore  për të huajt, Deda: Pagesat kryehen online. Rrjeti spitalor ende në proces

Shëndet | 2 muaj më parë

Për herë të parë turistët e huaj jo-rezidentë që kërkojnë shërbime në qendrat shëndetësore verore po paguajnë, që prej datës 1 korrik, tarifat e unifikuara, të cilat kujdesi parësor tashmë i ka të publikuara dhe të afishuara.

Në një intervistë për RTSH-në, drejtoresha e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Jeta Deda, sqaron se cilat janë shërbimet e kostifikuara.

“Flasim këtu për vizitë me mjekun e përgjithshëm, për vizitë me mjekun specialist, për mikrokirurgji, për analiza të gjakut, të urinës apo për matje glicemie. Flasim këtu për një EKG të kryer brenda qendrave shëndetësore. Mund të themi që një mesatare e çmimeve që janë të vendosura është 650 lekë të reja”, tha ajo.

Asnjë shërbim shëndetësor nuk paguhet në kesh (para në dorë). Qendrat shëndetësore verore janë të gjitha të pajisura me sistemin POS, duke lehtësuar aksesin e vizitorëve të huaj.

“Duhet përmendur që nuk ka arka në këto qendra shëndetësore verore, pra e gjithë pagesa kryhet online, nëpërmjet kartave elektronike, dhe shkon direkt në llogarinë bankare të qendrës shëndetësore”, nënvizoi Deda.

Kostifikimi i shërbimeve shëndetësore do të shtrihet edhe në rrjetin spitalor, por tarifimi është ende në proces nga Ministria e Shëndetësisë.

“Sistemi spitalor ka të tjera kosto dhe të tjera shërbime të kostifikuara. Këto po ashtu janë në pritje miratimi nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Një pjesë e madhe e spitaleve, kryesisht spitalet universitare dhe spitalet rajonale, e kanë kryer këtë kostim shërbimi”, tha Deda.

Qëllimi është që të ketë një sistem të unifikuar për regjistrimin, trajtimin, tarifimin dhe dokumentimin e shërbimeve shëndetësore për të huajt. Nga përllogaritjet, ata zënë 25-30% të totalit të vizitave shëndetësore në këto qendra.

Të ardhurat e mbledhura, qendrat do t’i shfrytëzojnë për nevojat e tyre.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme