“Të mos abuzohet me alkoolin!” Mjekët kardiologë në QSUT, apel për kujdes me përdorimin e pasojat

Shëndet | 1 vit më parë

Jo vetëm drogat, por edhe alkooli është një nga substancat që po mbush urgjencat mjekësore me mosha shumë të reja për shkak të abuzimit me sasinë e konsumuar gjatë këtij sezoni veror.

Kardiologu Aurel Demiraj thotë për RTSH se numri i të rinjve të dehur është në rritje.

“Përdorimi i alkoolit nga moshat e reja është tej çdolloj limiti logjik,” tregon Dr. Demiraj.

Por çfarë efektesh mjekësore jep alkooli kur konsumohet në temperatura të larta?

“Problemi është që shtimi i vazodilimit shton sasinë e gjakut në periferi dhe pakëson sasinë e gjakut në organet vitale. Zemra tenton automatikisht të rivendosë ekuilibrin dhe shton punën e saj. Në kushtet e të nxehtit, kur i shtohet alkooli një pacienti të dehidratuar, pasojat janë rënie presionesh, rënie tensioni, në raste ekstreme edhe pakësimi i vaskularizimit apo sasisë së gjakut që shkon në tru,” thotë kardiologu.

Nën efektin alkoolit, problemet shkojnë deri në fatalitet.

“... veçanërisht te adoleshentët. Në qoftë se kësaj i shtohet edhe alkooli, edhe një makinë që shkon 200–250 km/orë, pasoja është aksidenti. Alkooli ka edhe një miniproblem: të jep një vetëbesim të tepruar,” thekson Dr. Demiraj.

Të dehur e kanë gjetur veten edhe ata që kanë konsumuar birrë me tepri duke menduar se birra është me e lehtë.

“Duke qenë se nuk ka sasi të madhe alkooli e injorojnë. Shikojmë pacientë që çuditërisht gjenden të dehur pasi kanë shkuar në sasi ekstreme birre. Kemi parë pacientë që kanë pirë një arkë me birrë brenda dy-tri orëve,” rrëfen doktori.

Kardiologu Demiraj këshillon shmangien e alkoolit dhe kujton stresin që sjellin pasojat.

“Një pacient që është kardiopat [shpj. që vuan nga zemra] i njohur do t’ia rekomandoja ta shmangte. Për të rinjtë është ujë, është hidratim. Pra, ka alkool, por nuk është gjë e keqe. Tek të moshuarit, dikush që është me probleme zemre, shndërrohet në problem. Për ne është stres. Për familjarët është stres. Do të preferoja që ta merrja rrogën time pa pacientë. Parandalim, parandalim, parandalim!” këshillon Dr. Demiraj.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme