Nushi: Të pavërteta lajmet për largime masive në Policinë e Shtetit, mesazhet ndaj mësuesve e pedagogëve janë të rreme
Shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, Albert Nushi, ka reaguar lidhur me një sërë informacionesh që po qarkullojnë ditët e fundit në rrjetet sociale, duke i cilësuar ato si lajme të rreme që synojnë të dëmtojnë imazhin e Policisë së Shtetit dhe të cenojnë besimin e qytetarëve.
Në një deklaratë për mediat, Nushi u ndal fillimisht te pamjet e publikuara nga aeroporti i Rinasit, ku është pretenduar se shtetas të huaj po sillen në Shqipëri për t’u mbajtur në burg. Ai sqaroi se këto pretendime nuk janë të vërteta.
Sipas Policisë së Shtetit, bëhet fjalë për shtetas që transportohen nga Italia drejt Gjadrit, në kuadër të funksionimit të qendrës së pritjes për emigrantët e paligjshëm dhe jo për persona që do të mbahen në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri.
Nushi ngriti shqetësimin edhe për mesazhet që u janë dërguar së fundmi disa mësuesve dhe pedagogëve në emër të Policisë së Shtetit. Në këto mesazhe pretendohej se ata ishin filmuar gjatë pjesëmarrjes në tubime dhe se do të kontaktoheshin për t’u komunikuar akuza.
Policia thekson se këto mesazhe nuk janë dërguar nga strukturat e saj, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim krijimin e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve tek institucionet ligjzbatuese.
“Sigurojmë mësuesit dhe pedagogët se e drejta për t’u tubuar paqësisht është një e drejtë kushtetuese dhe Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor ta respektojë dhe ta garantojë atë”, u shpreh Nushi.
Ai theksoi se në të gjitha komunikimet zyrtare të Policisë së Shtetit është bërë e qartë se e drejta për protestë paqësore respektohet plotësisht dhe se çdo pretendim që sugjeron të kundërtën është i pavërtetë dhe dashakeq.
Gjatë deklaratës, Policia hodhi poshtë edhe zërat për dorëheqje masive nga radhët e saj, duke i cilësuar ato si lajme të pavërteta.
Po ashtu, Nushi siguroi opinionin publik se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë ditëve të tubimeve.
Në përmbyllje, Policia e Shtetit u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj informacioneve të pakonfirmuara që qarkullojnë në rrjetet sociale.
“Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, në zbatim të ligjit, për garantimin e jetës, pronës dhe të drejtave të tyre. Ftojmë qytetarët të mos bien pre e informacioneve të rreme që synojnë të cenojnë misionin ligjor të Policisë së Shtetit dhe besimin tek institucionet”, përfundon deklarata.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




