“Të thyejmë bllokadat e policisë”, policia italiane zbulon udhëzimet në Telegram të “Lëvizjes 17 Tetori” për protestat në Itali

Botë | 47 minuta më parë

Syze mbrojtëse, shall për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës, doreza dhe udhëzime për përballjen me forcat e rendit. Lëvizja e krijuar së fundmi në Itali “17 Tetori” ka shpërndarë në grupet e saj në Telegram një dokument me udhëzime për protestat e planifikuara të shtunën, më 24 tetor, në tetë qytete të Italisë.

Sipas TGcom24, dokumenti titullohet “Revolucion, udhëzime për përdorim” dhe përshkruan objektivat e asaj që grupi e quan “mosbindje civile”. Ndër synimet e deklaruara janë kundërshtimi i qeverisë së Giorgia Melonit dhe politikave të saj, zgjerimi i mobilizimit dhe mbrojtja e pjesëmarrësve të cilët grupi i quan “vëllezër dhe motra revolucionarë”.

Udhëzimet përfshijnë organizimin e grupeve përpara nisjes së marshimit, afrimin e kalimtarëve dhe banorëve për t’iu bashkuar protestës, si dhe lëvizjen në formacione të përbashkëta drejt pikës së përcaktuar të tubimit.

Pjesa më e diskutueshme e dokumentit lidhet me mënyrën se si protestuesit udhëzohen të reagojnë në rast përballjeje me policinë. “Nëse forcat e sigurisë na pengojnë të vazhdojmë marshimin, të brohorasim sloganet tona dhe të përpiqemi të çajmë kordonët e tyre”, thuhet në udhëzimet e publikuara në Telegram.

Dokumenti përmban edhe këshilla për rastet kur përdoret gaz lotsjellës, duke u kërkuar pjesëmarrësve të qëndrojnë të qetë dhe të mos prekin kapsulat e gazit pa doreza. Gjithashtu, u bëhet thirrje protestuesve të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të japin ndihmën e parë kur është e nevojshme.

Në listën e pajisjeve të sugjeruara përfshihen një çantë e ndihmës së shpejtë, qetësues kundër dhimbjeve dhe ujë. Dokumenti përmend edhe përdorimin e kefijes (shall) ose maskave për mbrojtjen nga gazi lotsjellës.

Protestat e 24 tetorit janë njoftuar në tetë qytete italiane, në vijim të mobilizimeve të mëparshme kundër kostos së jetesës dhe politikave të qeverisë. Publikimi i këtyre udhëzimeve vjen pas përplasjeve dhe akteve të vandalizmit të regjistruara në Milano më 17 dhe 18 tetor.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme