Tensione në seancë, deputetët e PD bllokojnë foltoren, ndërhyn Garda. Klosi: Nuk mbrojmë asnjë funksionar publik
Ka nisur me tensione seanca e sotme plenare mes opozitës dhe mazhorancës pas rrëzimit të kërkesës së PD për ndryshimin e rendit të ditës. Ndërsa opozita kërkonte futjen në rendin e ditës së Parlamentit debat për ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni, sekretari i përgjithshëm i PS, Blendi Klosi theksoi se qeveria nuk do të mbrojë asnjë funksionar publik dhe se askush nuk do të shmanget nga përgjegjësia individuale përballë drejtësisë. “E kemi dëshmuar, jo vetëm si vullnet politik, por edhe me fakte, që ajo që kemi bërë me reformën në drejtësi do të jetë standardi ynë. Në asnjë rast nuk do të marrim asnjë funksionar në mbrojtje, nuk do të shmangim nga përgjegjësia individuale çdo individ që do të përballet me drejtësinë e re”, deklaroi Klosi.
Gjatë fjalës së tij, Klosi iu drejtua edhe opozitës, duke ngritur akuza për qëndrimet e saj ndaj institucioneve të sigurisë kombëtare.Klosi vijoi deklaratën duke iu referuar periudhës së trazirave të vitit 1997 dhe duke akuzuar opozitën për përgjegjësi politike.
“Sa vite ke karrierë politike? 22 vjet. Ke drejtuar këtë forcë politike në opozitë. Janë shumë për jetën e një politikani, por s’ke hequr dorë nga akuzat për institucionet, nga akuzat për krerët e shërbimeve. Ajo që bëre me shefin e shërbimit kur ti ishe në pushtet, kur shefi i shërbimit tënd, me gjithë ç’bë, komandant i FA në ’97, për të vrarë më shumë njerëz, për të hapur depot e për të shkatërruar Shqipërinë”, tha Klosi.
Në momentin kur Klosi po mbante fjalën, deputetë të Partisë Demokratike bllokuan foltoren, pas rrëzimit të kërkesës së tyre, situatë e cila solli dhe ndërhyrjen e Gardës së Republikës. Pas tensioneve në sallë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërpreu punimet e seancës për 10 minuta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



