Tensione në Kuvend, opozita bllokon foltoren. Këlliçi: Mbështesim protestën studentore, të dorëhiqet qeveria Rama

Politikë | 39 minuta më parë

Seanca e sotme plenare ka nisur me tensione, teksa opozita ka bllokuar foltoren e Kuvendit pas miratimit nga kryeparlamentari Niko Peleshi të procesverbalit të seancës plenare të datës 8 tetor 2026. Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, është shprehur kundër miratimit të procesverbalit, duke e lidhur qëndrimin e opozitës me protestën e studentëve dhe zhvillimet e ditëve të fundit në vend.

Gjatë fjalës së tij, Këlliçi deklaroi se Shqipëria po përjeton ditën e dhjetë të asaj që ai e cilësoi si lëvizjen më të fuqishme studentore të 35 viteve të fundit.

“Mbaj qëndrim zyrtar për të gjithë deputetët dhe qytetarët. Kjo është dita e dhjetë që Shqipëria po përjeton lëvizjen më të fuqishme studentore të 35 viteve të fundit. Kjo është përgjigjja e një brezi që refuzon korrupsionin dhe kapjen totale të shtetit nga pushteti absolut i Ramës”, u shpreh Këlliçi.

Deputeti demokrat e cilësoi protestën si një revoltë kundër një modeli qeverisës që, sipas tij, u ka vjedhur të rinjve shpresën dhe po e largon Shqipërinë nga e ardhmja evropiane.

Ai theksoi gjithashtu se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të qëndrojë në krah të studentëve dhe qytetarëve që protestojnë për dinjitet, drejtësi dhe një Shqipëri më të mirë. Këlliçi dënoi atë që e cilësoi si dhunë shtazarake ndaj studentëve. Këlliçi bëri të ditur se Grupi Parlamentar i PD-së, së bashku me aleatët, mbështet kërkesat politike për ndryshim, duke renditur si prioritete dorëheqjen e qeverisë së Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare. Sipas tij, kjo qeveri duhet të ketë si mision të vetëm përgatitjen dhe garantimin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme.

Një tjetër kërkesë e opozitës, sipas Këlliçit, është vetëshpërndarja e parlamentit aktual, për të cilin ai pretendoi se nuk mund të përfaqësojë vullnetin e qytetarëve përballë krizës së besimit dhe kërkesës për ndryshim.

“Grupi Parlamentar i PD-së, së bashku me aleatët, mbështet kërkesat politike për ndryshim dhe, në këtë moment vendimtar, qëndron krah kërkesave për: 1) Dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë së Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare, me mision të vetëm përgatitjen dhe garantimin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira e të ndershme; 2) Vetëshpërndarjen e parlamentit aktual, i cili s’mund të pretendojë se përfaqëson vullnetin e qytetarëve, përballë krizës së besimit dhe kërkesës për ndryshim.

Shqipëria s’mund të mbahet peng nga një pushtet që e sheh çdo kërkesë si një kërcënim. Studentët s’kanë nevojë për leksione arrogance. Ata meritojnë përgjigje, përgjegjësi, ndryshim real”, deklaroi Këlliçi.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme