Tensionohet protesta përpara Kryeministrisë, protestuesit hedhin bomba molotov dhe gurë, policia kundërpërgjigjet me ujë dhe gaz lotsjellës
Në këto momente situata është tensionuar si pasojë e përplasjes midis protestuesve dhe forcat e rendit gjatë minutave të fundit përpara godinës së Kryeministrisë.
Pasi kishin qëndruar për disa orë në një protestë paqësore, situata është përshkallëzuar ndjeshëm kur demonstruesit nisën sulmin ndaj kordonit policor. Siç raportohet nga terreni, vetëm pak minuta më parë protestuesit kanë hedhur bomba molotov dhe gurë në drejtim të policisë, duke krijuar disa vatra zjarri.
Përgjigja e forcave të sigurisë ka qenë e menjëhershme për të shpërndarë turmën dhe për të marrë në kontroll situatën. Efektivët e policisë ndërhynë me mjete uji me presion dhe lëndë lotësjellëse, lëvizje kjo që ka zhvendosur turmën nga sheshi përpara kryeministrisë në drejtim të sheshit “Skënderbej”.
Ndërhyrja e forcave të rendit ka fragmentuar turmën e protestuesve, të cilët tashmë janë shpërndarë në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit. Përgjatë lëvizjes së tyre, një grup tjetër protestuesish janë zhvendosur sa drejt Rrugës së Elbasanit, sa nga Parku Rinia.
Forcat e policisë po vijojnë operacionin në terren dhe po i ndjekin në rrugët ku janë shpërndarë protestuesit.
Trazirat zhvendosen në sheshin “Skënderbej”, vijon përplasja me fishekzjarre e gaz lotësjellës, forcohet siguria te Kuvendi
Situata e tensionuar në kryeqytet ka vijuar të mbetet e tillë, duke u zhvendosur në sheshin “Skënderbej”. Pas ndërhyrjes së parë të forcave të rendit për shpërndarjen e turmës me ujë me presion dhe gaz lotësjellës, një pjesë e konsiderueshme e manifestuesve është riorganizuar në sheshin “Skënderbej”.
Përplasja mes palëve ka vijuaer sërish në sheshin qendror. Përgjatë përballjes, protestuesit vijuan përplasjen me policinë duke qëlluar me breshëri fishekzjarresh ndaj policisë, e cila vijoi t’i përgjigjet me ujë dhe gaz lotsjellës.
Përveç përballjes direkte në shesh, efektivët e Policisë së Shtetit janë shtrirë edhe në disa akse kryesore rrugore brenda Tiranës. Aktualisht, forcat e sigurisë janë gjithashtu në ndjekje edhe të disa grupeve të protestuesve të shpërndarë në disa rrugë të Tiranës.
Forcat e rendit kanë vendosur edhe kordon sigurie në afërsi të Kuvendit, duke blinduar të gjitha rrugët hyrëse që të çojnë drejt parlamentit.
Lajmi është në perditësim
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



