Terapia për autizmin e pakontrolluar, Toçe: Kërkohet standardizim dhe licencim për qendrat e hapura

Shëndet | 5 muaj më parë

Marrja e terapisë për çrregullimin e spektrit autik është bërë një sfidë për prindërit pasi përveç se përballen me sektorin privat  ata shoqërohen edhe nga pasiguritë për cilësinë e shërbimit që u ofrohet fëmijëve të tyre. Danata Toçe, eksperte dhe analiste e sjelljes së aplikuar në fushën e autizmit thotë se kjo vjen si shkak i hapjes së pakontrolluar të qendrave, të cilave u mungon licenca dhe standardizimi i shërbime terapeutike.

 “Tregu është kaotik , ka vend shumë për pakujdesi dhe abuzim. Të punosh me individë dhe familje të tilla është sfidë profesionale e vështirë. Nuk mundemi ne si profesionist, të sillemi si sharlatanë  në një botë ku fëmija preket direkt, interesi i të cilit është në të ardhmen e tij jo vetëm individual dhe edhe në mënyrën se si zhvillohet familja“, u shpreh Danata Toçe, analiste e sjelljes së aplikuar.

Formimi i trapistëve dhe performanca e tyre  duhet të jenë të matshme  pasi kjo ndikon direkt në të ardhmen e fëmijës dhe gjithë familjes, ndaj Toçe sugjeron ngritjen e ekspertizës profesionale që  të mbajë përgjegjësi për standardet dhe protokollet

“Nëse do të kishim një kujdes më të madh, pavarësisht besimi tonë individual që punën po e bëjmë mirë, kujdesi duhet të vijë nga profesionistë që hulumtojnë, që hetojnë e që kontrollojnë , që mbrojnë dhe përfaqësojnë standardet më të larta të kësaj fushe dhe që mbajnë përgjegjësi për standardizimin e çdo lloj iniciative që ofrohet e që lipset të standardizohet e të ofrojë shërbimin më të mirë të mundshëm për fëmijën“, tha ajo.

Mungesa e orientimit të prindërve në një treg të tillë të pandalshëm dhe të pakontrolluar nga instancat shton sipas ekspertëve më shumë problemet dhe ndikon në rritjen e barrës sociale të familjeve dhe shoqërisë

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme